Filigrani në Prizren synon rilindjen përmes kursit tetëmujor me 26 pjesëmarrës

Filigrani në Prizren synon rilindjen përmes kursit tetëmujor me 26 pjesëmarrës

Kultura May 21, 2025 - 16:46

Mjeshtrit e dalluar të filigranit në Prizren kanë filluar mbajtjen e kursit tetëmujor për aftësimin e pjesëmarrësve të grupmoshave të ndryshme. Me transmetimin e fshehtësive të këtij artizanati ata synojnë vazhdimin e traditës së moçme, e cila ka rritur namin e qytetit të vjetër përtej kufijve të Kosovës.

Sikurse mjeshtrit, ashtu edhe pjesëmarrësit e kursit kanë shprehur interesim për ruajtjen e traditës së filigranit.“Kam shprehur interesim për këtë zanat, sepse kemi edhe njëfarë tradite familjare, e cila mund të vazhdohet. Rastësisht kam dëgjuar për këtë kurs dhe shpresoj të kem sukses dhe me dashuri ta vijoj këtë artizanat”, ka thënë Nermin Bexheti, pjesëmarrëse nga Prishtina.

 

Mjeshtri Bashkim Tejeci, i cili bashkë me një kolege dhe dy kolegë të tjerë do të mentorojnë grupin prej 26 pjesëmarrësve ka theksuar se praktika e këtij kursi e zbatuar prej disa vitesh është treguar e suksesshme dhe kontribuon në ruajtjen e zanatit të vjetër, karakteristik për Prizrenin.“Deri më tani disa grupe janë trajnuar me sukses. Besoj edhe se edhe ky grup do të jetë i suksesshëm, meqë ky artizanat pjesëmarrësit i qetëson shpirtërisht”, ka thënë Tejeci, raporton Telegrafi.

Sipas tij, përparësia është se pas këtij kursi, të aftësuarit mund të punojnë në mënyrë individuale edhe në shtëpitë e tyre.Realizimi i këtij kursi mundësohet nga fondet e Komunës së Prizrenit. Kryetari Shaqir Totaj ka pohuar se përmes ruajtjes së traditës së këtij zanati ruhet edhe identiteti i qytetit.

“Edhe normalisht përmes kësaj të kontribuojmë për zhvillim dhe promovim”, është shprehur Totaj, duke shprehur mirënjohje për mjeshtrit e filigranit që me vullnet e realizojnë këtë projekt të financuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik.

“Përkrahja e tillë do të vazhdoj. Besojmë se po japim një kontribut serioz për begatimin edhe ruajtjen e identitetit të qytetit të Prizrenit, përmes filigranit, por edhe zejeve tjera”, ka deklaruar ai.Drejtori i DTZHE-së, Ramadan Tarashaj ka theksuar se katër mjeshtrit e filigranit do të mentorojnë 26 pjesëmarrësit, përfshirë dhe dy turistët e interesuar, përgjatë tetë muajve në vijim.Sipas tij në katër muajt e parë do të ofrohen njohuritë bazike për njohjen e këtij artizanati, teksa pjesa e dytë do të mundësojë avancimin e tyre në punimin e stolive nga telat e argjendit.

“Krahas kësaj do të ofrojmë mbështetje edhe për prezantim në panaire, ku do të mundësohet ekspozimi i punimeve të tyre”, ka thënë Tarashaj.Në punëtorinë e improvizuar të Filigranit në qendër të Prizrenit prej disa vjetësh organizohet trajnimi i filigranit për dhjetëra pjesëmarrës, me qëllim të ruajtjes së zanatit të vjetër.

Në bazë të të dhënave të historianëve dhe kujtimeve të mjeshtërve të këtij zanati, punëtoritë e argjendarëve kanë qenë të përqendruara në qendrën e qytetit, afër Shatërvanit, në kuartin e veçantë që njihej si Çarshia e Kujunxhinjve.