
Promovohet libri për dëshmorin Xhemajl Rama, në përvjetorin e rënies së tij
Përmes rrëfimeve dhe kujtesës së shokëve të idealit dhe familjarëve të dëshmorit Xhemajl Ramaj, në Suharekë, në përvjetorin e rënies së tij, u promovua monografia "Uragani i Lirisë" e autorit Fikrim Ramaj.
Jeta dhe kontributi i dëshmorit të kombit Xhemajl Ramaj nga Suhareka, që ra 26 vjet më parë, duke u flijuar për lirinë e Kosovës, është renditur në monografinë e autorit Fikrim Ramaj, me titull "Uragani i Lirisë".
"Kjo monografi për një dëshmor, për një hero, është një gur më shumë në themelet e kujtesës sonë kolektive, dhe duhet vlerësuar si e tillë, sepse nëse e harrojmë atë që e përjetuam, ardhmërinë do ta kemi të errët dhe të cunguar", tha Nexhat Çoçaj, redaktor i librit.
"Të shkruash monografi për heronjtë, nuk është aspak e lehtë, jo për faktin që nuk gjenden dëshmi e dëshmitarë, por sakrifica dhe gjaku i tyre është dëshmia më e fuqishme për ta ndërtuar e kurorëzuar monografinë", tha Parim Kosova, recensent i librit.
Arjola Ramaj, vajza e dëshmorit, tha se u rrit dhe e njohu babanë përmes kujtimit të gjyshërve dhe të shokëve të tij të idealit.
"Unë erdha në jetë pak kohë se ai të nisej në rrugën e lavdisë, babai im zgjodhi të mos më shihte mua, por duke rritur shpresën time, dhe shpresën e të gjithë brezave të atdheut tonë, ai zgjodhi të mbillte lirinë me gjakun e tij", tha vajza e dëshmorit.
"Këto libra duhet t’i bartin gjeneratat e reja, të mësojnë më shumë për luftën e fundit. Edhe më tutje nuk mësohet, nuk mësohet për Pavarësinë e luftën, veç diçka mos e harroni, luftë më të pastër dhe më të drejtë prej kohës së Skënderbeut në trojet shqiptare nuk ka pas", tha Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.
Në këtë përvjetor dhe promovim të librit për Xhemajl Ramajn, ndanë kujtime të kohës organizata e veteranëve të UÇK-së dhe shokët e tij të idealit./ rtk