Posta e Kosovës nderon 100-vjetorin e IKSHPK-së me pullë postare

Posta e Kosovës nderon 100-vjetorin e IKSHPK-së me pullë postare

Kultura June 05, 2025 - 14:26

Për nder të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim një pullë postare të re.

Kjo punë titullohet “100-vjetori i punës së IKSHPK-së” dhe është bërë në nderim të kontributit e punës që ka bërë ky institucion në mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.

Pulla postare shënon rëndësinë e themelimit të IKSHPK-së, institucion kyç i cili vazhdon të mbetet shtyllë e fortë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të individit dhe shoqërisë, mbikëqyrjen e faktorëve mjedisor që ndikojnë në shëndet, parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jo ngjitëse, si dhe promovimin e shëndetit gjatë tërë jetës.

Pulla postare e 100-vjetorit është dedikim për profesionistët shëndetësorë, bashkëpunëtorët, studiuesit dhe mësimdhënësit të cilët, me përkushtim dhe pasion, kanë sfiduar çdo pengesë për të ndërtuar një shoqëri më të shëndetshme dhe më të fortë.

Ky emision i veçantë i përbërë nga një pullë postare dhe një zarf i ditës së parë, do të jetë në qarkullim deri në konsumimin e plotë të tij. Bashkëpunimi mes Postës së Kosovës dhe IKSHPK-së është një mundësi e shkëlqyer për të nderuar këtë trashëgimi të çmuar dhe për të frymëzuar brezat e ardhshëm në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit publik. /Zëri