
Ermonela Jaho performon në Prishtinë për 26-vjetorin e çlirimit
Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur një koncert nga sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho. Ajo u shoqërua nga Opera dhe Filarmonia e Kosovës, nën dirigjimin e Jacopo Siparit.
Pas koncertit, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për jetën kulturore në vend.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme arti në Prishtinë,” deklaroi ministri Çeku.
Ai theksoi se koncerti është dëshmi e zhvillimit të institucioneve kulturore në Kosovë.
“Nën dirigjimin e Jacopo Siparit, e shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, ky koncert ishte dëshmi e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës,” u shpreh ai.
Çeku falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e kësaj ngjarjeje. “Faleminderit të gjithëve që e bënë të mundur këtë natë të paharrueshme,” tha ai.