Gjuha shqipe zyrtarizohet në sistemin arsimor të Nju-Jorkut

Gjuha shqipe zyrtarizohet në sistemin arsimor të Nju-Jorkut

Kultura June 20, 2025 - 13:34

Më 18 qershor 2025 kancelarja e Arsimit në Nju-Jork, Melissa Aviles-Ramos, njoftoi se gjuha shqipe është përfshirë zyrtarisht në listën e gjuhëve të përdorura për komunikimet shkollore nga Departamenti i Arsimit të Qytetit.

Nga rreth 180 gjuhë që fliten në Nju-Jork, deri tani vetëm 10 ishin pjesë e komunikimeve zyrtare në shkollat publike, ndërsa me vendimin e fundit, ky numër është rritur në 13, duke përfshirë edhe shqipen.

Kjo nismë do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e familjeve shqiptare në jetën arsimore të fëmijëve të tyre, pasi çdo dokument, njoftim ose informacion i rëndësishëm do të jetë në gjuhën shqipe.

Prej vitesh shumë prindër shqiptarë hasën vështirësi për shkak të barrierave gjuhësore, por tani do të mundë të marrin pjesë më aktivisht dhe me vetëbesim në procesin arsimor.

Kjo përfshirje gjithashtu do të ndihmojë nxënësit shqiptarë që të ndihen të përfshirë dhe të përparojnë më mirë akademikisht dhe emocionalisht.

Përveç këtij vendimi, pak muaj më parë në Nju-Jork u hap edhe një klasë e parë dygjuhëshe shqip-anglisht, duke forcuar mundësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe avancimit akademik. /sinjali