“Anibar” në edicionin e 16-të sjellë 162 filma në Pejë

“Anibar” në edicionin e 16-të sjellë 162 filma në Pejë

Kultura June 23, 2025 - 17:54

162 filma të përzgjedhur nga 51 shtete është ‘oferta’ e sivjetme për publikun në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar “Anibar”.

“Edicioni i sivjetmë i festivalit të animacionit kthen sytë kah vetë thelbi i këtij mediumi: si një formë arti që flet për ne, për botën dhe për kohën në të cilën jetojmë. Përmes një programi të përzgjedhur me kujdes nga kuratorët Petrit Gora, Vita Kasapolli dhe Panot Mahmutaj, ky edicion sjell një rrugëtim filmik të pasur, të shumëllojshëm dhe gjithnjë aktual”, thuhet në komunikatën për media.

“Anibar” sivjet organizohet në datat 14–20 korrik, teksa ka pranuar gjithsej 1504 aplikime nga 111 shtete. Si gjithnjë edhe sivjet, filmat konkurrojnë në 6 gara dhe 3 kategori.

Në kategoritë garuese përfshihen filmat në garën ndërkombëtare, studentore, ballkanike, e video animacioneve muzikore, e audiencës së re dhe për të drejtat e njeriut.