
“KPop Demon Hunters”, si i kapi filmi i Netflixit majat globale
Me një kombinim të pazakontë mes muzikës K-Pop dhe aksionit fantastik, filmi i ri i në Netflix ka kapur vëmendjen e audiencës në mbarë botën, duke u kthyer në një nga produksionet më të përfolura të vitit.
Që nga publikimi i tij në qershor, “KPop Demon Hunters” ka pushtuar listat globale të Netflix dhe ka dominuar edhe klasifikimet muzikore në mbarë botën.Por cili është sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?
Filmi i animuar “KPop Demon Hunters” është bërë një hit global në kohë rekord, duke grumbulluar mbi 33 milionë shikime në vetëm dy javë dhe duke u ngjitur në Top 10 në 93 shtete. Aktualisht renditet i dyti në nivel global, përcjellë KultPlus.
Por nuk është vetëm filmi që po bën bujë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, që prej datës së publikimit, më 20 qershor, dy grupet muzikore fiktive që paraqiten në histori, grupi i vajzave Huntr/x dhe kundërshtarët e tyre rebelë Saja Boys, kanë dominuar listat muzikore globale, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si BTS dhe Blackpink. Shtatë këngë nga kolona zanore e filmit janë tashmë pjesë e Billboard Hot 100, ndërsa dy prej tyre kryesojnë listën e Spotify në SHBA.
“KPop Demon Hunters” ndjek historinë e Huntr/x, një grup K-pop prej tre vajzash, Rumi, Mira dhe Zoey, të cilat, përveçse superyje në skenë, janë edhe mbrojtëse të fshehta të botës kundër forcave mbinatyrore. Kundërshtarët e tyre janë djemtë e errët Saja Boys.
Është muzika ajo që ka qenë çelësi i vërtetë i suksesit. Maggie Kang, regjisore koreano-kanadeze, frymëzimin e ka marrë nga idhujt e K-pop-it që ajo admironte në rini. Në këtë film, muzika e grupit shndërrohet në një armë mbrojtëse kundër të keqes. Çdo këngë përforcon emocionet e skenave dhe është pjesë integrale e rrëfimit, jo thjesht një shtesë komerciale si në shumë filma të tjerë të animuar.
Një tjetër arsye e rëndësishme për suksesin e filmit është njohja në rritje që publiku botëror ka me kulturën koreane. K-pop-i, filmat dhe serialet koreane janë tashmë pjesë e tregut global. “KPop Demon Hunters” e pasqyron këtë realitet përmes përfaqësimit të saktë të elementeve të jetës së përditshme në Korenë e Jugut, që nga ushqimi dhe zakonet e ngrënies, deri te vendet ikonike si muret e vjetra të Seulit, klinikat tradicionale, banjat publike dhe Kulla Namsan.
Për të arritur këtë nivel autenticiteti, ekipi i filmit udhëtoi në Korenë e Jugut dhe bëri kërkime të thelluara për kulturën dhe arkitekturën, që nga fshatrat tradicionale deri te rrugicat e lagjes Myeongdong. “Ne deshëm që filmi të dukej sa më korean që të ishte e mundur,” tha Kang. “Çdo skenë, çdo dizajn përmban elemente koreane.”
Në thelb, përtej pamjes plot ngjyra dhe energji, filmi përcjell një mesazh universal: historinë e të rinjve që përballen me pranimin e vetvetes dhe më në fund arrijnë të gjejnë identitetin e tyre të vërtetë. Është një rrugëtim pjekurie që prek zemrat përtej kulturave.
“Bëhet fjalë për vetëpranim,” thotë Golka. “Ndoshta miqtë nuk të kuptojnë menjëherë, por ata të duan dhe me kohë e kuptojnë. Besoj se kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë ndjerë të lidhur me këtë film.”/KultPlus