
“The Legend of Zelda”, prej një loje elektronike në një krijim filmik
Premiera e re filmike e “The Legend of Zelda” do të rikthehet si një krijim filmik, duke sjellë dy aktorë të rinj britanikë në rolet kryesore, ka njoftuar Nintendo.
Ylli i “Renegade Nell”, Bo Bragason, 21 vjeç, do të luajë Princeshën Zelda, ndërsa Benjamin Evan Ainsworth, 16 vjeç, i njohur nga “Pinocchio”, do të interpretojë luftëtarin Link.
Në një njoftim në platformën X, Shigeru Miyamoto i Nintendo-s tha se është “shumë i emocionuar të shohë të dy në ekranin e madh”. Kjo do të jetë përpjekja e parë për të realizuar një film “Zelda”, megjithëse më parë, në vitin 1989, u krijua një seri televizive e animuar bazuar në këtë lojë.
Filmi “The Legend of Zelda” pritet të dalë në maj 2027, ku regjisori premton një përshtatje “serioze, por me fantazi”, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Loja ndjek Princeshën Zelda dhe luftëtarin Link, teksa përpiqen të shpëtojnë mbretërinë e Hyrule nga një sundimtar i keq i kthyer në mbret demon, i quajtur Ganon.
Në lojërat elektronike, Link nuk flet kurrë, por fansat kanë spekuluar se kjo nuk do të jetë kështu edhe në film. Gjithashtu, pritet që Princesha Zelda të ketë shumë më tepër kohë në ekran sesa në versionet e lojës.
Filmi me aktorë të gjallë u njoftua në vitin 2023, kur Sony konfirmoi bashkëpunimin me Nintendo për të bashkë-financuar projektin. Ai do të drejtohet nga Wes Ball, i njohur për “Kingdom of the Planet of the Apes” dhe trilogjinë “The Maze Runner”, përcjell KultPlus.
Ball tha më parë për revistën Total Film: “E di që kjo është e rëndësishme për shumë njerëz dhe dua që të jetë një film serioz… një film i vërtetë që u ofron njerëzve një arratisje”.
“Kjo është ajo që dua të krijoj, duhet të ndihet si diçka e vërtetë. Diçka serioze dhe e bukur, por gjithashtu argëtuese dhe e mbushur me fantazi”. /kultplus