
Edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një festë për gjyshet e traditat
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë datat 8, 9 dhe 10 gusht për të vizituar Përmetin, ku në këto data mbahet një festival interesant i quajtur “Nona” e që këtë vit mbush 5 vjeç.
“Festivali “Nona”, një udhëtim i veçantë në rrënjët tona, me zemrën plot. Festojmë bashkë me gjyshet më të dashura nga gjithë Shqipëria, në një festë plot dashuri, kujtime dhe muzikë në zemër të Përmetit”, shkroi kryeministri Rama duke kujtuar dhe datat 8-9-10 gusht.
Ky do të jetë edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, një ngjarje unike treditore që bashkon të gjithë njerëzit, brezat e rinj dhe të vjetër, ruan traditën dhe e kthen parkun qendror, gjatë fundjavës, në një shtëpi të madhe ku duket si shtëpia e gjyshes së të gjithëve.
Duke qenë se ky festival, ka në thelb traditat dhe mjeshtërinë e gjysheve në gatim, njerëzit janë të ftuar të mblidhen për të ngrënë nga duart e gjyshes, për të qeshur dhe për të kaluar kohë me njëri-tjetrin.
Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane./atsh