
Qendra Kinematografike e Kosovës emëron Këshillin e ri Profesional
Qendra Kinematografike e Kosovës ka emëruar Këshillin e ri Profesional, kjo me vendim të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Nga tani e tutje pjesë e këtij këshilli do të jenë: Eroll Bilibani, Agnes Nokshiqi, Nita Deda, Urtina Hoxha, Brikena Mulliqi, njëherësh përfaqësuese e MKRS-së
Kjo u bë e ditur nga QKK-ja përmes një postimi në Facebook.
“Jemi shumë të lumtur të ju njoftojmë se Qendra Kinematografike e Kosovës, me vendim të Ministrise së Kulturës Rinisë dhe Sportit, në pajtim me legjislacionin në fuqi, ka emëruar Këshillin e ri Profesional. Ky këshill do të luajë një rol kyç në mbështetjen e Qendrës Kinematografike, duke ndihmuar institucionin të zhvillojë dhe përmirësojë politikat dhe iniciativat që shërbejnë filmbërësve në Kosovë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tyre, përmes të cilit i bashkangjitën edhe një fotografi.
Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni kryesor publik i filmit në Kosovë, i cili mbështet dhe promovon industrinë kinematografike vendore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo vepron si fondi publik i filmit dhe autoriteti qendror për çështjet e kinematografisë, me qëllim arritjen e objektivave të interesit publik në fushën e kinematografisë.