“Xhade Fest” – Presheva në qendër të kulturës rajonale

“Xhade Fest” – Presheva në qendër të kulturës rajonale

Kultura August 22, 2025 - 16:26

Edicioni i tretë i Xhade Fest mbërrin në Preshevë, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të gjallë ku arti, muzika dhe komuniteti takohen. Festivali nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një thirrje për të rizbuluar qytetin, për ta parë me ngjyra të reja dhe për ta ndjerë si hapësirë të përbashkët krijimtarie.

Xhade Fest ecën nëpër rrugë dhe tregime, kalon kufij të dukshëm e të padukshëm, kërkon fytyra, ngjyra e zëra që sfidojnë të zakonshmen. Është një festival për ata që pyesin, që krijojnë, që besojnë se arti mund të shndërrojë hapësirat dhe komunitetet, transmeton KultPlus.

Në orën 13:00, në amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës, do të zhvillohet një panel diskutimi me temën “Re(discovering) the Spaces for Art and Culture”. Artistë dhe punëtorë kulturorë nga Peja, Beogradi dhe Prizreni do të ndajnë përvojat e tyre mbi mënyrat se si ata kanë gjetur, rimarrë apo krijuar hapësira të reja për artin dhe kulturën në komunitetet e tyre. Ky diskutim synon të hedhë dritë mbi sfidat dhe mundësitë që lindin kur arti kërkon vendin e tij në realitete urbane dhe sociale në ndryshim. I moderuar nga Luka Kneëevië Strika, paneli do të sjellë mendimet dhe përvojat e Vullnet Sanajës, Teodora Simië dhe Somer ëpatit, tre zëra të ndryshëm që përfaqësojnë praktika të ndryshme, por me përbashkësinë e kërkimit për hapësira ku arti mund të lulëzojë.

Pas këtij diskutimi, duke filluar nga ora 15:00, publiku do të ketë mundësinë të eksplorojë dy ekspozita që sfidojnë perceptimet tona mbi hapësirën dhe përvojën. Në serinë “Possible Worlds”, artisti Shkamb Jaka na fton të imagjinojmë realitete të tjera përmes një ndërthurjeje të ndjeshme të materialitetit dhe imagjinatës. Ndërkohë, Laureta Hajrullahu me punimin e saj “Touch and Haptics” na zhyt në një përvojë shqisore që ngre pyetje mbi të prekshmen, të ndjeshmen dhe atë që ndodh në ndërfaqet mes reales dhe virtuales. Të dy artistët ofrojnë një qasje bashkëkohore që ndërton ura mes trupit, mendjes dhe teknologjisë, duke na bërë të mendojmë për mënyrën se si e përjetojmë artin dhe botën përreth.

Në mbrëmje, ndërtesa e Komunës shndërrohet në një skenë magjike përmes një instalacioni 3D mapping, të sjellë nga artisti vizual Florian Çanga nga Tirana. Ky instalacion e transformon arkitekturën e qytetit në një përvojë të gjallë vizuale, ku ndërtesat marrin jetë përmes ngjyrave, ritmeve dhe vizualizimeve digjitale që krijojnë një realitet të ri për sytë e publikut. Është një bashkëjetesë e teknologjisë dhe artit, që shfaq fuqinë e imagjinatës në hapësirat publike.

Pas këtij spektakli vizual, qendra e qytetit merr jetë me muzikë të gjallë dhe DJ set-e që zgjasin gjatë gjithë natës. DJ 808 nga Prishtina sjell ritme të ngrohta afro house, ndërsa DJ Wise, gjithashtu nga Prishtina, ofron një miks dinamik të disko, hip-hop dhe afro grooves. Energjinë e mbrëmjes e përforcon Offchestra, një grup që përzien me mjeshtëri funk, jazz dhe tinguj të zjarrtë ballkanikë, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të hapur, të gjallë dhe të përbashkët. Në këtë atmosferë, Presheva bëhet një vendtakim për artin, kulturën dhe komunitetin, një qytet që rreh në të njëjtin ritëm me ata që besojnë se hapësirat e reja nuk gjenden, por krijohen së bashku.

Xhade Fest është për njerëzit, tingujt dhe kulturat. Në Preshevë, ai shndërrohet në një udhëtim ku arti nuk është vetëm në skenë, por në rrugë, në ndërtesa, në fytyrat e njerëzve.

Ky festival është për të gjithë ata që duan ta shohin qytetin e tyre dinamik, të gjallë dhe të lidhur përmes artit. /kultplus