Kush po garon për ta fituar Festivalin e Këngës në RTK, edhe pa Eurovision?

Kush po garon për ta fituar Festivalin e Këngës në RTK, edhe pa Eurovision?

Kultura September 20, 2025 - 14:30

Këtë vit Festivali i Këngës në RTK do të shënojë edicionin e tretë, ndërsa tashmë janë bërë të ditur emrat e artistëve që do garojnë për ta fituar festivalin, i cili ka nisur në vitin 2023 si një garë shtetërore për ta zgjedhur përfaqësuesin e Kosovës në festivalin evropian të këngës “Eurovision Song Contest”.

Pavarësisht edicionit të tretë në prag, Kosova akoma nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrje në Eurovision, derisa këtë vit shihet se në listë janë emra pak më shumë të njohur se sa në dy edicionet e kaluara, shkruan Zeri.info.

Edhe këtë vit për të tretin vit më radhë, drejtor artistik i festivalit do të jetë, kompozitori Florent Boshnjaku, i cili ka thënë se Festivali në momentin që organizohet është risi, sepse sjellë këngë të reja, sjellë artistë që publiku nuk i ka parë.

“ Ne jemi duke u munduar që kemi arritur me bë një shou solid, besoj që edhe sivjet kemi me sjellë edhe në mënyrë më profesionale edhe më të bukur para publikut dhe ato ndryshime me siguri kanë me u vrejtë sidomos në organizimin e festivalit dhe me kohë jemi mirë përkundër problemeve të janë të natyrshme në vendin tonë”, deklaroi Boshnjaku gjatë një paraqitje në RTK, ku shpalosi edhe datat e festivalit të cilat këtë vit do të jenë më 6,7 dhe 8 nëntor.

Fituesi nuk shkon në Eurovision

Ndonëse edicioni i tretë, RTK-ja akoma nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrje në Eurovision.

Në një përgjijge për “Zërin” nga EBU [Unioni i Transmetuesve Evropian], i cili organizon festivalin, ata kanë refuzuar të japin detaje në lidhje me shtetet pjesëmarrëse të vitit të ardhshëm dhe nëse Kosova do të ftohet në edicionin e 70-të të Eurovisionit i cili në maj do të mbahet në Vienë të Austrisë.

“Nuk kemi asnjë detaj për të ndarë në këtë moment lidhur me ndonjë transmetues pjesëmarrës për ngjarjen e vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e EBU-së për Zeri.info.

RTK-ja dhe Ministria e Kulturës në vitin 2023 kanë nënshkruar një memorandum tre vjeçar, ku përfshihej transferimi i mjeteve financiare nga MKRS-ja në RTK në vlerë prej 300 mijë eurosh për vitin 2023, pastaj 250 mijë për vitin 2024 dhe 200 mijë të tjera për vitin 2025.

Gjithsesi për shkak të shpenzimeve, këto shifra janë rritur dhe në dy edicionet e fundit të Festivalit janë shpenzuar nga më shumë se 350 mijë euro, të cilat janë shtuar përmes anekseve të marrëveshjeve me Ministrinë dhe nga buxheti vetanak i RTK-së.

Përveç festivalit, nga RTK-ja nuk është parë ndonjë fushatë tjetër për ta afruar Kosovën me Eurovisionin.

Fati i Festivalit të Këngës, nuk dihet se si do të jetë pasi këtë vit përfundon bashkëpunimi trevjeçar i transmetuesit publik me MKRS-në.

Kush po garon këtë vit?

Menaxhmenti i RTK-së dhe udhëheqësit e Festivalit, këtë vit kanë vendosur të shtyjnë datat e festivalit i cili për dy edicione ishtë mbajtur në javën e tretë të tetorit, ndërsa këtë vit janë caktuar datat 6,7 dhe 8 nëntor, e gjithë kjo shtyrje ndodhi për shkak të Zgjedhjeve Lokale.

Festivali do të mbahet në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, ndërsa tashmë janë publikuar edhe emrat që do të garojnë për çmimin e parë.

Emrat e pjesëmarrësve të Festivalit të tretë të këngës në RTK:

1. Almir Kraba – “Nuk ka si ti”

2. Arjeta Palushaj – “Andrra”

3. Arsi Bako – “Rreze Zjarr”

4. Art Lokaj – “Ty”

5. Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”

6. Dea Berisha – “Afër”

7. Egzon Pireci – “Kënga Jonë”

8. Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

9. Florent Abrashi – “Unë dhe ti”

10. Kiara Juba – “Nirvana”

11. Klea Dina – “At”

12. Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

13. Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”

14. Santino de Bartolo – “Naze Naze”

15. Semi Tafaj – “Vazhdoj”

16. Teutë Halili – “Amin”

17. Vlera Kastrati – “Nanë”

18. Vjosa Shehu – “Alo”

19. Xuxi – “Identitet”

20. Zergjina Hasanaj – “Pres”