
Shtjefën Gjeçovi, kleriku me veprimtari të shumanshme në shërbim të kombit
Më 14 tetor të vitit 1929, u nda nga jeta rilindasi, etnologu, shkrimtari, arkeologu dhe kleriku at Shtjefën Gjeçovi.
Me përfundimin e kolegjit françeskan në Troshan, në vitin 1888 nisi studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Theth, Pejë, Gomsiqe, etj.At Shtjefën Gjeçovi, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në grumbullimin e shumë gojëdhënave dhe përgatitjen e disa monografive shkencore. Krahas këtyre, përktheu disa vepra të rëndësishme të letërsisë botërore.
Ndihmesën më të rëndësishme e dha në fushën e etnologjisë, ku padyshim vepra monumentale mbetet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Në punën e gjatë për përgatitjen e kësaj vepre ai i mblodhi rregullat dhe kanunin nga goja e njerëzve, në të gjithë rajonet e veriut ku shërbeu si prift, dhe bëri një përmbledhje shumë interesante e cila si fillim u botua në revistën “Hylli i Dritës”.
Punoi si mësues për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për shkak të veprimtarisë së tij patriotike dhe në shërbim të kombit shqiptar, më 14 tetor 1929, në një pritë të mirëpërgatitur prej disa kohësh, u vra nga persona të paidentifikuar në shërbim të pushtetit jugosllav./atsh