Milan Kundera dhe prova e vërtetë e njerëzimit

Milan Kundera dhe prova e vërtetë e njerëzimit

Kultura October 15, 2025 - 10:06

“Njeri, mos e lartëso veten mbi kafshët”, kishte këshilluar Dostojevski dikur, duke ngritur zërin për një temë që rrallë merr vëmendje në thellësinë që meriton. Poeti amerikan Uitman, nga ana tjetër e botës, i ftoi njerëzit “të duan tokën, diellin dhe kafshët”.

Një shekull më vonë, Milan Kundera (1929–2023), në romanin e tij të paharrueshëm “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984), i kthehet kësaj çështjeje me një ironi therëse ndaj mendjemadhësisë njerëzore. Ai e sheh njeriun si krijesën që shpiku Zotin për të justifikuar sundimin e tij mbi botën shtazore:

“Nuk ka siguri që Zoti i dha njeriut sundimin mbi krijesat e tjera. Ajo që duket më e mundshme është se njeriu shpiku Zotin për të shenjtëruar sundimin që ai kishte uzurpuar për vete mbi lopën dhe kalin”.

Në reflektimin e tij filozofik, Kundera e çon këtë ide më tej duke e përmbysur hierarkinë që njeriu i ka ndërtuar vetes mbi jetën tjetër. Ai pyet se çfarë do të ndodhte nëse një “vizitor nga një planet tjetër” do të kishte të drejtën mbi njeriun, ashtu si njeriu ka pretenduar ta ketë mbi kafshët.

Për Kunderën, mirësia e vërtetë njerëzore nuk matet në raport me të barabartët, por me ata që janë në mëshirën e njeriut:

“Prova e vërtetë e njerëzimit qëndron në qëndrimin ndaj kafshëve. Dhe në këtë aspekt njerëzimi ka pësuar një rrënim themelor”.

Ky pasazh mbetet një nga më të fuqishmit në letërsinë moderne, një kujtesë e thellë se masën e njerëzimit nuk e përcakton intelekti apo fuqia, por ndjeshmëria ndaj atyre që nuk kanë zë. /kultplus