Shfaqja “Babai” nga Florian Zeller, në skenën e Teatrit Eksperimental

Shfaqja “Babai” nga Florian Zeller, në skenën e Teatrit Eksperimental

Kultura October 16, 2025 - 10:09

Drama e Florian Zeller, “Babai” (Le Père), historia tragjike e vlerësuar nga kritika botërore, vihet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Historia e një burri, André, që vuan nga demenca dhe lufta për të kuptuar realitetin që për të është konfuz dhe çorientues, vjen përmes interpretimit të Viktor Zhustit, Egla Cenos, Pjerin Vlashit, Linda Jaranit dhe Adriana Tolkas.

“Babai” i Florian Zeller-it është një dramë tronditëse mbi fragmentimin e kujtesës dhe humbjen e orientimit. André, një burrë në moshë, përballet me rrëshqitjen graduale të realitetit, ndërsa vajza e tij, Ana, përpiqet ta mbajë të lidhur me botën.  Kjo tragjikomedi intime na vendos përballë një përvoje universale: plakjes, demencës, lidhjes së brishtë mes babait dhe bijës, dashurisë dhe humbjes që e shoqëron.

Kjo nuk është vetëm histori mbi demencën, por një dramë njerëzore mbi kujtesën, jetën dhe kujdesin, mbi dinjitetin që lufton të mbijetojë, dhe mbi dashurinë që mbetet si dritë e fundit edhe në errësirën e harresës.

Drama vjen me regji të Erson Zymberit, skenografi nga Bekim Korça, kostumografi nga Sofi Kara e koreografi nga Mariel Brahimllari. Ajo do të shfaqet çdo natë në ArTurbina, deri më 12 tetor.

Florian Zeller është një skenarist dhe regjisor francez, disa nga veprat e të cilit janë ekranizuar dhe kanë marrë vëmendje ndërkombëtare. Vetë “Babai” u kthye në film, regjinë e të cilit e bëri po Zeller. “Babai” u vlerësua me dy çmime Oscar, një për Anthony Hopkins dhe tjetri për Olivia Colman. /atsh