Gazetarët ndërkombëtarë rrezikuan jetën për të raportuar nga Kosova

Gazetarët ndërkombëtarë rrezikuan jetën për të raportuar nga Kosova

Kultura October 21, 2025 - 21:31

Fotografi të fuqishme janë vendosur në muret e zhveshura të Hotelit “Grand”, duke kujtuar ngjarjet tragjike të viteve ’90, kur luftërat shpërthyen në ish-Jugosllavi.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “Fotoist”, që po mbahet në Prishtinë, fotoreporterë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë sjellë për publikun pamje të luftërave që kanë mbuluar ndër vite.

Drejtori i festivalit, fotografi Burim Myftiu, thotë se imazhet e realizuara nga reporterët ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë ndikuan tek shtetet perëndimore për të ndërhyrë në vend.

“Ky është edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë Fotoisti, dhe e konsideroj si një ngjarje me rëndësi të madhe. Gjatë luftës, ishin pikërisht fotografitë ato që ndikuan tek Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore për të parë se çfarë po ndodhte në Kosovë. Raportet kur dërgohen, lexohen dhe shumë shpejt harrohen. Mirëpo, kur dërgohen pamjet fotografike, ato mbeten përgjithmonë në kujtesë. Masakrat në Kosovë, refugjatët dhe njerëzit u dokumentuan fuqishëm përmes fotografive”, ka thënë Myftiu.

Myftiu thekson se gazetarët ndërkombëtarë shpesh rrezikuan jetën e tyre për të mbuluar luftën në Kosovë, ndaj sipas tij është e domosdoshme që puna e tyre të kujtohet dhe të vlerësohet.

Ai tregon gjithashtu se tema e këtij edicioni synon të përcjellë një mesazh universal për paqen dhe qëndresën.

“Gazetarët ndërkombëtarë rrezikuan jetën për të raportuar nga Kosova. Prandaj, konsideroj se është shumë e rëndësishme t’i rikthejmë ata sërish në Kosovë përmes ekspozitave, për të kujtuar dhe për të apeluar në botë me temën tonë të këtij viti — qëndresën — për të ndalur të gjitha konfliktet dhe luftërat që po ndodhin nëpër botë, duke filluar nga Palestina e deri në Ukrainë”, ka theksuar Myftiu.

Ky është edicioni i tretë i festivalit “Fotoist”, që po mbahet në Prishtinë. Publiku do të ketë mundësi të vizitojë ekspozitat e ndryshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë deri më 24 tetor./teve1