Po mbahet edicioni i 25-të i Festivalit Frankofon të Filmit në Kosovë

Po mbahet edicioni i 25-të i Festivalit Frankofon të Filmit në Kosovë

Kultura October 27, 2025 - 11:52

Valon Ibraj, atashe për Kulturë në Ambasadën e Francës, tha se çdo edicion i festivalit ka veçantinë e tij, por ky edicion është posaçërisht i veçantë, pasi përfshin filma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Njëri prej filmave është shfaqur fillimisht në premierë botërore në Toronto, pastaj në Romë, dhe së treti në Prishtinë”, tha Ibraj.

Ai shtoi se tema e këtij edicioni është moda dhe kinematografia dhe për këtë arsye janë përzgjedhur rreth gjashtë filma që trajtojnë këto dy fusha.

“Përveç këtyre, kemi pasur edhe filma të tjerë dhe, në bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë, kemi përgatitur një program të pasur që do të vazhdojë deri në fund të festivalit”, tha Ibraj.

Në kuadër të temës së modës përfshihen shumë elemente të bukura, ndër to edhe arkitektura.

“Mbyllja e festivalit do të bëhet nesër mbrëma me një film zviceran, një dokumentar mjaft i mirë që lidhet me arkitekturën”, shtoi ai.

Po ashtu, nesër do të mbahet edhe një konferencë me temën “Moda dhe Kinematografia”, ku mysafire do të jetë aktorja e njohur Arta Dobroshi, si dhe shumë personalitete të tjera nga fusha e filmit dhe artit. /rtk