Filmi i parë horror në Kosovë, nesër mbahet konferencë për media
Filmi ndërkombëtar “The Sixth”, me regji nga Michael Caissie dhe producent Clayton Turnage nga Hollywoodi, është një film i zhanrit horror, i cili ka për qëllim promovimin e Kosovës përmes bukurive natyrore dhe lokacioneve të saj unike.
Filmi është xhiruar tërësisht në Kosovë, përkatësisht në Trepçë, Prishtinë dhe në Shpellën e Gadimes. Ky film po realizohet nga kompania filmike Kras Production, në bashkëprodhim me ekipin nga Hollywoodi. Ky është filmi i katërt i producentëve kosovarë që jetojnë në SHBA, Fitim dhe Fahri Krasniqi, të cilët po vazhdojnë të sjellin projekte ndërkombëtare në vendin tonë.
Për të ndarë më shumë rreth filmit dhe përvojës së xhirimeve, nesër do të mbahet një konferencë për media me ekipin e filmit në ora 14:30 te Shpella e Gadimes.
Të pranishëm do të jenë Michael Caissie, Clayton Turnage, Fitim e Fahri Krasniqi.
Filmi “The Sixth” është një projekt që synon të vendosë Kosovën në hartën e kinemasë botërore, duke treguar se vendi ynë mund të jetë skenë e përsosur për produksione të mëdha ndërkombëtare.