Ndahet nga jeta poeti, krijuesi e gazetari Nijazi Ramadani
Ka vdekur gazetari, poeti e krijuesi Nijazi Ramadani.
Këtë e ka bërë të ditur djali i tij, Gramosi.
”Babi, faleminderit për çdo përkrahje për çdo fjalë dhe vepër të mirë që e kishe ndaj të gjithëve. Veprat e tua dhe zemra jote e madhe nuk do harrohet kurrë e ne do të kujtojmë sa te jemi gjallë”, shkroi ai në rrjetin social Facebook.
Nijazi Ramadani lindi më 14 shkurt 1964 në Kokaj të Gjilanit.
Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje dhe më pas në Pogragjë, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në drejtimin Matematikë-Teknikë. Studimet universitare i vijoi në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua në programin Matematikë–Informatikë (AKM, Bachelor), me temën “Teorema e Talesit”.
Që nga rinia e hershme, Ramadani është shquar për aktivitet krijues dhe interesim për letërsinë, publicistikën dhe çështjet kulturore.
Veprimtaria profesionale dhe publicistike
Ramadani ishte veprimtar aktiv i jetës kulturore dhe publicistike shqiptare. Ai ka botuar në shumë gazeta dhe revista të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë, ndër to: Rilindja, Jeta e Re, Pionieri, Flaka e Shkupit, “Shekulli”, “Koha Jonë”, “Koha Ditore”, “Zëri”, “Epoka e Re”, “Fokus”, “Express”, “Kosova Sot”, “Infopress”, “Iliriapost”, “Lajm”, si dhe në platforma të tjera elektronike e agjenci lajmesh.
Ai ka ushtruar detyra redaktoriale në disa media, përfshirë revistën “Ushtima e maleve”, dhe ka botuar artikuj të shumtë letrarë, historikë, kritikë dhe publicistikë. Po ashtu, një numër shkrimesh enciklopedike të tij gjenden edhe në Wikipedia.
Karriera e tij publicistike përfshin të gjitha zhanret e gazetarisë, reportazh, ese, kritikë, koment, editorial, shkrime të hulumtuara, recensione, skica letrare, fejton, trajtesa kulturore e studimore. Aktiviteti i tij ka qenë shpesh i lidhur edhe me zhvillimet politike të kohës, dhe për veprimtarinë kombëtare në vitet ’80, ai u përball me arrestime dhe ndjekje policore.
Stili dhe arti poetic
Poezia e Nijazi Ramadanit karakterizohet nga një gjuhë e dendur artistike, me figuracion të pasur dhe një ndjeshmëri të veçantë lirike. Ai ndërthur elemente të historisë, kujtimeve personale, mitikes dhe realitetit bashkëkohor, duke e shndërruar poezinë në dialog mes së kaluarës dhe së sotmes.
Temat e identitetit kombëtar, rezistencës, qëndresës dhe përkatësisë shpirtërore janë të pranishme në veprën e tij poetike. Referencat estetike lidhen shpesh me simbolikën tradicionale shqiptare, ndërsa struktura poetike ndërtohet mbi parimin e gjetjes së normave krijuese brenda vetë poetit.
Poezia e Ramadanit shpesh merr karakter mbrojtës dhe afirmues në raport me realitetet e vështira historike, duke ruajtur një stil të ngjeshur, me metafora të fuqishme dhe emocionalitet të lartë.
Krijimtaria letrare
Poezi
Dheshkronjë Arbri (1995), përmbledhja e parë poetike.
Imazhe kohe (2008), poezi 1978-2008.
Thjerëz 1978-2018 (2019), përmbledhje e tretë poetike.
Që në moshën 15-vjeçare botoi krijimet e para në “Rilindja”, në rubrikën për fëmijë. Gjatë viteve ’70-’80, poezitë dhe shkrimet e tij u botuan rregullisht në periodikun letrar të kohës.
Prozë dhe roman
Imazhi i ngrirë (2006/2012), roman historik me tematikë kombëtare.
Botime me tregime dhe novela:
ARKATANA
Gjaku i hartës sime (1993),
Cubi (2005),
Azgani me arapin e zi (2003).
Drama
Azgani & Ylber(i)ja (2012), dramë dhe komedi.
Publicistikë, kritikë letrare dhe studime
Kosova dhe vetëvendosja (1998), trajtesë historike-dokumentare.
Një qasje në teatër (2004).
Vrojtime artistike (2006).
Qasje tjetër për skenën (2006).
Vështrime letrare (botime të ndryshme).
Shtegtim në histori: Monografi për Kokajt 1842–2012 (2010).
Shtegtim në histori – I: Gjilani 1941–1951 (studim, 2010).
Krijimtaria e tij është përfshirë gjithashtu në antologji ndërkombëtare të poetëve botërorë.
Çmimet dhe vlerësimet
Çmimi “Kadmus” për tregim – vendi i tretë (Athinë, 2006).
Çmimi “Kadmus” për kritikë letrare – vendi i parë (Athinë, 2006).
Çmimi letrar “Fadil Bekteshi” – vendi i tretë (Likovë, 2020).
Çmime të hershme në konkurse letrare që nga vitet ’70 e ’80.
Përfshirje në antologji ndërkombëtare dhe vlerësime nga kritikë të ndryshëm letrarë.