Përmbyllet edicioni i 6-të i “Ferizaj Piano Fest”
Me emocione, profesionalizëm dhe art, është mbyllur edicioni i gjashtë i Festivalit “Ferizaj Piano Fest”, i mbajtur në Galerinë e Arteve në Ferizaj. Festivali solli mbrëmje të veçanta artistike që rrallë përjetohen në qytet, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
Pianistja me famë botërore Lule Elezi magjepsi publikun me interpretimin e saj virtuoz, ndërsa sopranoja e njohur Zana Abazi Ramadani krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme me vokalin e saj të fuqishëm e të ngrohtë.
Sipas zyrës për informim të kësaj Komune, publiku pati mundësinë të dëgjojë edhe dy pianistet e mirënjohura shqiptare Ana Kaçinari dhe Fjorda Veizaj, të cilat u paraqitën me një duo pianistike mbresëlënëse, duke interpretuar vepra të kompozitorëve shqiptarë. Po ashtu, programi u pasurua nga sopranoja Adelina Qerimi-Bucaliu dhe mysafirja speciale, nxënësja dhe pianistja Bora Lepaja, me performanca të shkëlqyera.
“Suksesi i festivalit lidhet ngushtë me përkushtimin e themelueses dhe drejtoreshës së tij, Ylberina Isufi, si dhe punën e palodhur në bashkëpunim me profesoreshën Besiana Dermaku, të cilat çdo vit e ngrisin nivelin artistik të këtij eventi”, thuhet tutje në njoftim, duke shtuar se “Ferizaj Piano Fest” në edicionin e këtij viti ka vulosur një kapitull të ri të rëndësishëm për skenën kulturore të komunës së Ferizajt.