Arkivat, kujtesa dhe përgjegjësia si reflektim mbi ish-Sigurimin e Shtetit

Arkivat, kujtesa dhe përgjegjësia si reflektim mbi ish-Sigurimin e Shtetit

Kultura December 16, 2025 - 14:41

Instituti Albanologjik (Dega e Historisë) organizoi një aktivitet në kuadër të programit të ligjëratave publike “Leksione albanologjike”.

Shefi i Degës së Historisë, Nuridin Ahmeti, theksoi rëndësinë e ligjit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe rolin e tij në ndërtimin e një kulture transparence, reflektimi shoqëror dhe llogaridhënieje.

“Siç dihet, me miratimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH” në prill të vitit 2015, si dhe me zgjedhjen e anëtarëve dhe të kryetares së Autoritetit në nëntor të vitit 2016, Shqipëria ndërmori një hap historik për t’u përballur më hapur me të kaluarën jo të largët. Ky hap nga institucionet vendimmarrëse të Shtetit Shqiptar mundësoi qasjen e qytetarëve në dokumentet që lidhen me jetët dhe fatet e tyre, dhe ky hap, rrjedhimisht, solli një kulturë transparence, pse jo edhe llogaridhënieje dhe reflektimi shoqëror. Për institucionin tonë, i cili prej shtatorit të vitit 2025 ka një marrëveshje të nënshkruar bashkëpunimi me këtë Autoritet, ky është një moment i rëndësishëm. Bashkëpunime të tilla na japin mundësinë të forcojmë kërkimin shkencor, të avancojmë qasjet pedagogjike dhe të kontribuojmë në formimin e një qytetarie të vetëdijshme dhe të përgjegjshme. Ky institucion ka një rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, sepse, si rezultat i kalimeve ilegale të kufijve nga qytetarët shqiptarë që jetonin në Jugosllavinë e atëhershme, të cilët vendoseshin në Shqipëri, dhe vizitave gjatë viteve ’70 dhe ’80 të profesorëve, artistëve, arsimtarëve etj., Shteti Shqiptar, konkretisht ish-Sigurimi i Shtetit, në vazhdimësi krijoi dosje”, shtoi ai.

Ndërsa u.d. e drejtoreshës së Institutit Albanologjik, Meliza Krasniqi, vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin e Dosjeve, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të kërkimit akademik dhe ndërtimit të një diskursi të përgjegjshëm mbi të kaluarën.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë për znj. Gentiana Sula dhe ekipin e saj, jo vetëm për angazhimin e vazhdueshëm në drejtimin e një institucioni me peshë të jashtëzakonshme publike, por edhe për gatishmërinë për dialog ndërinstitucional, shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim të qëndrueshëm shkencor. Prania juaj këtu sot është një dëshmi konkrete se puna me arkivat e së kaluarës nuk është vetëm çështje administrimi dokumentesh, por akt përgjegjësie morale, shkencore dhe qytetare. Instituti Albanologjik e vlerëson lart bashkëpunimin me institucione që punojnë në kufirin delikat ndërmjet kujtesës, historisë dhe etikës publike. Për ne, ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të kërkimit shkencor, rritjes së ndërgjegjësimit akademik dhe ndërtimit të një diskursi të matur, të verifikuar dhe të përgjegjshëm mbi të kaluarën. Në këtë kontekst, aktiviteti i sotëm ka një domethënie të veçantë: ai krijon hapësirë reflektimi dhe dialogu, ku historia nuk trajtohet si narrativë e mbyllur, por si proces i vazhdueshëm njohjeje, rishikimi dhe përgjegjësie. Pikërisht në këtë hapësirë takohen misioni i institucioneve arkivore, puna e historianëve dhe roli i edukimit akademik”, ka theksuar Krasniqi.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit në Tiranë znj. Gentina Sula foli për rëndësinë e së vërtetës historike si parakusht i demokracisë, për rolin e arkivave.

“Shoqëritë që kanë kaluar përvoja diktatoriale apo autoritare përballen me një sfidë të dyfishtë: nga njëra anë, nevojën për të ndërtuar institucione demokratike funksionale dhe, nga ana tjetër, detyrimin moral dhe shkencor për t’u përballur me trashëgiminë e dhunës shtetërore. Në këtë kontekst, e vërteta historike nuk është thjesht çështje akademike, por parakusht i besimit publik dhe i rendit demokratik. Hannah Arendt ka theksuar se e vërteta faktike përbën bazën e gjykimit moral dhe të veprimit politik. Ndryshe nga e vërteta ideologjike apo opinioni, e vërteta faktike mbështetet në dokument, dëshmi dhe verifikim. Regjimet totalitare nuk synojnë vetëm të gënjejnë, por të shkatërrojnë vetë konceptin e së vërtetës, duke e zëvendësuar atë me narrativa të prodhuara nga pushteti. Për këtë arsye, rikthimi i së vërtetës pas diktaturës është një proces i ndërlikuar, por i domosdoshëm. Shqipëria, nga viti 1944 deri në vitin 1991, përjetoi një diktaturë totalitare të tipit stalinist, të karakterizuar nga izolim ekstrem, centralizim absolut i pushtetit dhe përdorim sistematik i dhunës shtetërore. Sigurimi i Shtetit u shndërrua në mekanizmin kryesor të kontrollit social, përmes një rrjeti të gjerë survejimi, ndëshkimi dhe frike, që preku jo vetëm individët, por edhe familjet dhe komunitetet e tëra. Në të njëjtën periudhë, shqiptarët e Kosovës jetuan nën një regjim tjetër autoritar, atë të Jugosllavisë socialiste. Edhe pse ky sistem kishte forma institucionale të ndryshme nga diktatura shqiptare, për shqiptarët e Kosovës ai prodhoi represion politik, diskriminim kombëtar dhe ndjekje sistematike të elitave intelektuale. Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981 dëshmojnë se mendimi kritik, angazhimi studentor dhe kërkesat për barazi politike u trajtuan si kërcënim për rendin shtetëror”, shtoi ajo. /eo