Pashk Përvathi me galeri të përhershme në Lezhë, 82 vepra ekspozohen në qytetin e lindjes së autorit

Pashk Përvathi me galeri të përhershme në Lezhë, 82 vepra ekspozohen në qytetin e lindjes së autorit

Kultura December 19, 2025 - 08:06

Lezhës i shtohet një aset i rëndësishëm kulturor. Tashmë pjesë e rëndësishme e guidës kulturore do të jetë dhe galeria e përhershme të piktorit Pashk Përvathi. Ekspozimi i krijimtarisë 40-vjeçare në qytetin e tij të lindjes ka qenë një ëndërr e kahershme e mjeshtrit Përvathi, një prej artistëve më të spikatur pamorë shqiptarë.

“Kam realizuar një ëndërr të kahershme, një ëndërr që më është dukur sikur po e jetoja gjithmonë për këtë ditë. Desha ta kishte Lezha se krijimtaria ime jetë merr në këtë qytet”, u shpreh piktori.

Veprat e ekspozuara në këtë galeri nisin që prej vitit 1984 dhe dominohen nga gjinia e peizazhit, me motive nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por ka dhe portrete dhe natyra të vendit.

“Veprat e përzgjedhura të ekspozuara përbëjnë një rrugëtim, një dëshmi sakrifice por dhe dashurie për artin”, tha piktori Agron Polovina.

“Përpos të gjitha thesareve që ka Lezha, një tjetër thesar i shtuar sot me hapjen e këtij muzeu dhe jo një galeri”, tha kritiku i artit Oltsen Gripshi.

“Pashku është një aset i çmuar për këtë qytet dhe japin gjithmonë energji pozitive për të cilën ne kemi nevojë”, theksoi Pjerin Ndreu, Kryetar i bashkisë Lezhë.

“Në pikturën e Pashk Përvathit përmes ngjyrave na përthyhet edhe poezia, ndërsa në peizazhet e tij mjaft të bukura na vjen dhe si muzikë piktoreske”, tha shkrimtari Marash Mirashi.

Pashk Përvathi është autor i 41 ekspozitave personale në pikturë të hapura brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe i vlerësuar me dhjetëra çmime e tituj në vite. Përvathit i janë akorduar dhe urdhrat “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”./rtsh