Intervistë | Nga një ëndërr deri te plaga e migrimit, autorja e këngës “Nan” tregon si lindi kënga që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

Intervistë | Nga një ëndërr deri te plaga e migrimit, autorja e këngës “Nan” tregon si lindi kënga që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

Kultura December 22, 2025 - 14:30
Autorja rrëfen momentin emocionues se si ka lindur kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

Autorja e këngës “Nan”, Desara Gjini, ka rrëfyer në një intervistë për “Zërin” se nga u frymëzua të shkruante tekstin e këngës, e cila prek plagën e rëndë të migrimit dhe pritjen e pafund të prindërve për fëmijët që jetojnë jashtë vendit.

Kënga “Nan”, e interpretuar nga Alis Kallaci, më 20 dhjetor u shpall fituese e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, ku fitoi edhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.

Teksti është shkruar nga Desara Gjini, e cila është edhe e dashura e këngëtarit e që ka rrëfyer momente interesante se si nga një përvojë në familjen e saj e deri te një ëndërr që pa, gjeti frymëzimin për ta shkruar këngën “Nan”.

Gjini në intervistën për “Zërin”, momenti pasi u shpall fituese kënga e saj, ka treguar se nuk e kishin planifikuar në fillim të merrnin pjesë në Festivalin e Këngës, pasi për këtë kishin vendosur në minutat e fundit para se të mbyllej afati për pranim.

Intervistoi: A. Limani

Zëri: Fillimisht urime për fitoren, a na tregoni se si ka lindur kënga “Nan”?

Gjini: “Nan” ka lindur në një ditë fundgushti. Ishte fiks një ditë, kur të afërmit e mi po iknin ato ditë... ose kishin ikur disa ditë para, ose do të iknin disa ditë mbrapa. Edhe çdo verë, duke ndenjur, shikoja gjithë njerëzit që kur vinin dhe kur iknin, e shikoja nenën që fiks përherë rrinte në mes të derës. Fiks sikur është edhe refreni: Nana dhe i priste te dera dhe i përcillte po aty. Edhe tërë kohën duke folur madje edhe aty te dera.

Thjesht, duke e parë, një gjë që ishte pa mbarim. Nuk kishte mbarim asnjëherë. Sado që nana edhe mund të shkonte me i pa edhe unë vetë kam ikur qysh e vogël, 17 vjeçe. Jo për shumë gjatë, por për një vit jashtë. Edhe duke e parë atë boshllëkun, nuk mundesha as me ardh këtej ngaqë ishte një shkëmbim studentor. Ishte shumë e vështirë mos me i pa, dhe aty e kuptova edhe ma mirë mallin e nënës, apo familjarëve të tjerë dhe u lidha më shumë.

Zëri: Ju e kishit shkruar këngën për Festivalin e Këngës, ndoshta edhe për Eurovizionin, apo thjesht e keni shkruar për qejfin tuaj ose ndjesinë në ato momente?

Gjini: Unë atë natë... kemi qenë te shtëpia, kemi një studio me Alisin, ka një "home studio". Edhe aty Alisi punon, bën demot dhe gjërat që i duhen. Alisi ishte duke punuar aty, unë ndërkohë isha në cep aty, por ishte gati të më zëntë gjumi. Më vonë në ëndërr më del një zë që thotë "Nanë mirupafshim", edhe aty thjesht më erdhi komplet një ndjesi dhe thjesht e kam shkruar te "Notes" (shënimet në telefon), për me e mbajt mend për të nesërmen, për me e shkruajt më mirë. Se ishin thjesht shumë pika, që tërë ato ndjesi që kisha ndjerë unë në moment.

Mbrapa kur ia kam treguar Alisit të nesërmen, Alisit i ka pëlqyer shumë. Alisi shef më shumë pjesën e muzikës, nuk është se lidhet shumë-shumë-shumë me tekstin. Edhe kur e ka parë, ka vazhduar ka bërë vijën muzikore. Edhe kur e bëri edhe vijën muzikore, ne prapë na dukej shumë e madhe, shumë e bukur, por nuk është se e kishim ndarë mendjen për festival. Thjesht kur erdhi data mbrapa e festivalit, ishim duke menduar: A po? A jo? A po? A jo? A me e dorëzu, a mos me e dorëzu? Edhe e kemi dorëzuar natën e fundit, më datë 30 shtator, nga ora 12 pa çerek, a pa 5, diçka e tillë. Domethënë ka qenë shumë i gjatë [procesi i vendimmarrjes], thjesht na dukej gjë shumë e madhe për mos me dalë... për me dalë vetëm si “single”, se nuk e merrte peshën e duhur.

Image
Dalina Gjini dhe Alis

Zëri: A e keni pritur fitoren kur vendosët të vini në Festivalin e Këngës?

Gjini: Mendonim që ndoshta deri diku do të pritej mirë kënga, nga teksti, ose do ta prisnin mirë... mendonim që do ta prisnin mirë, nga për çfarë flet, për çdo gjë. Por prapë nuk e prisnim menjëherë dashurinë që na kanë dhënë në fillim. Sa shumë ka ecur kënga. Ne kemi marrë disa mesazhe që, kur i lexonim, vazhdonim duke qarë prapë. Sa herë dëgjonim këngën, mbrapa lexonim mesazhet dhe me qa.

Edhe si fitore, nuk është se e kishim, nuk ishte qëllimi jonë kur hymë në festival. Qëllimi jonë ishte duke qenë se ne kur e kemi bërë këngën kemi qarë shumë vetë, na dukej gjë shumë e prekshme. Kur ua treguam të afërmve tanë, u prekën shumë.

Zëri: Ka shumë njerëz që e kanë dashur këngën, por ka pasur edhe prej atyre të cilëve ndoshta nuk u ka pëlqyer dhe e kanë lidhur edhe me diçka tjetër. Si do t'u përgjigjeshe ti atyre njerëzve të cilët, meqë ra fjala, e kanë akuzuar këngën që është e ngjashme me një këngë tjetër?

Image
Dalina Gjini me trofeun e FEST64

Gjini: Ne kemi punuar shumë për këtë këngë. Pavarësisht se është një këngë që ne na ka dalë nga shpirti. Ne kemi punuar shumë për këtë këngë dhe thjesht na vjen keq që dashje pa dashje... thjesht puna jonë, ose sa shumë kemi punuar ne... domethënë, është hedh baltë mbi punën tonë.

Nuk është se ke çfarë me thënë për këtë temë thjesht, nuk ia vlen. Domethënë, ata që e kuptojnë, e kuptojnë, thjesht nuk qëndrojnë akuzat aspak.

Image
Alis me disa nga anëtarët e jurisë dhe anëtarët e orkestrës