Eurovizioni publikon përshëndetjen ekskluzive të Alis Kallaçit, pas fitores në Fest 64

Eurovizioni publikon përshëndetjen ekskluzive të Alis Kallaçit, pas fitores në Fest 64

Kultura December 23, 2025 - 10:19

Faqja zyrtare e Eurovision Song Contest në Instagram, me mbi 2.1 milionë ndjekës, ka publikuar përshëndetjen ekskluzive të këngëtarit fitues Alis Kallaçi, menjëherë pas triumfit të tij në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH. Videoja është realizuar në skenografinë madhështore të Fest 64, i shoqëruar nga Orkestra e RTSH-së.

“Përshëndetje, Europë. Unë jam Alis. Sapo fitova Festivalin e Këngës. Jam kaq i gëzuar që do përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Shihemi në Vjenë”, shprehet këngëtari në mesazhin e publikuar nga Eurovizioni.

Aktualisht, Shqipëria është vendi i parë që ka përzgjedhur këngën për Eurovizionin 2026, duke tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe në komunitetin euroviziv.

Këngëtari shkodran Alis Kallaçi fitoi çmimin e parë të Fest 64 me këngën “Nân”, duke rrëmbyer njëkohësisht vlerësimin maksimal të jurisë dhe mbështetjen e publikut. Performanca e tij u veçua për potencën e jashtëzakonshme vokale, interpretimin autentik dhe mesazhin universal të dashurisë, që preku audiencën në mënyrë të veçantë.

Ky sukses i siguroi Alisit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, i cili do të zhvillohet në Vjenë, Austri. Me reagimet e para pozitive dhe vëmendjen ndërkombëtare që ka nisur të marrë, “Nân” pritet të jetë një nga këngët më të komentuara të edicionit të ardhshëm të Eurovizionit. /kultplus