Çeku ia jep lamtumirën e fundit Shemit: E rëndë që si shoqëri kemi filluar të humbim një brez të artë artistësh
Ditën e sotme (e martë) është mbajtur një mbledhje komemorative për Shemsi Krasniqin, Shemin e grupit "Ilirët", që u nda nga jeta të hënën, në moshën 64-vjeçare.

Për t’ia dhënë lamtumirën e fundit janë mbledhur miq e kolegë nga komuniteti i tij artistik.
Një fjalim në lidhje me këtë e mbajti edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Çeku i ka shprehur ngushëllime familjes Krasniqi dhe e ka vlerësuar jetën dhe veprimtarinë e Shemit që ka realizuar ndër vite, si një ikonë e muzikës rok.
Fjalimi i plotë i Çekut, pa ndërhyrje:
E nderuara familje e Shemsi Krasniqit, të afërm, miq dhe bashkëpunëtorë, i nderuar komunitet artistik, kolegë e kolege të tij.
Dje pranuam lajmin e rëndë se Shemi u nda nga ne edhe herët edhe papritmas.
Përveç artist, Shemi ishte një personalitet i veçantë dhe shumë i dashur për të gjithë vendin. Nuk iu nda publikut asnjëherë duke qenë afër tyre në mënyra të ndryshme deri në ditët e fundit të jetës.
Shemin e gjeni në muzikë, në televizion, në qytet edhe në kujtesën tonë kolektive.
Kontribuuti i tij përveç artistik ishte edhe thellësisht shoqëror, aktiviteti i Shemit me grupin "Ilirët" ka arritur të jetë përbashkues për të gjithë ne nëpër periudhat më të vështira që kemi përjetuar si popull gjatë viteve '80-ta de '90.
Edhe avangard edhe patriotik, Shemi ishte ikonë e rockut shqiptar. Mungesa e tij do të rëndojë mbi të gjithë ne.
Në këtë sallë të Teatrit Kombëtar kohëve të fundit po mblidhemi për t'i dhënë lamtumirën shumë figurave të mëdha të komunitetit tonë artistik dhe kulturor. Është e rëndë natyrisht që si shoqëri kemi filluar të humbim një brez të artë artistësh të cilët janë vet historia e vendit tonë, rezistenca artistike dhe frymëzimi për jetë që vjen nga mënyra se si ata e jetuan jetën.
E kemi për detyrë si shoqëri që t'i kujtojmë me respekt dhe të mirëmbajmë vendin e tyre të merituar në historinë artistike dhe shoqërore të vendit.
Ngushëllime familjes Krasniqi, miqve dhe të gjithë komunitetit artistik. U prehtë në paqe dhe ta kujtojmë gjithmonë jetën dhe veprën e tij.
