Spiropali nga Shkupi: Gjuha shqipe të respektohet në ligj dhe në praktikë në Maqedoninë e Veriut

Spiropali nga Shkupi: Gjuha shqipe të respektohet në ligj dhe në praktikë në Maqedoninë e Veriut

Kultura December 24, 2025 - 13:11

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e cilësuar këtë ndalesë si një moment me peshë të veçantë në ruajtjen dhe forcimin e kujtesës sonë kombëtare.

Spiropali, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.

“Në këtë qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella — nga Shën Tereza te Pjetër Bogdani, nga Hasan Prishtina e shumë figura të tjera — gjejmë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni ynë si komb”.

“Puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike e bëjnë atë një shtyllë të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive.

“Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik”, shkroi ajo në Facebook.

Spiropali deklaroi po ashtu se gjuha shqipe na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti.