Së shpejti, ndërhyrje emergjente në Kullën e Turanit
Kulla e Turanit, një kullë karakteristike në skajin lindor të fshatit Turan të Korçës, e cila është dëmtuar nga reshjet e dendura të shiut, së shpejti do i nënshtrohet restaurimit.
Lajmi për këtë monument kulture u dha nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, sipas të cilit ndërhyrja emergjente do të nisë së shpejti, e fokusuar në masa konsoliduese dhe restauruese, në respekt të parimeve të restaurimit konservues dhe autenticitetit të monumentit.
Kulla e Turanit është e përfshirë në listën e objekteve në risk të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe për restaurimin e saj ka një fond të dedikuar për ndërhyrjet emergjente.
Kulla ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe një ambjent në çdo kat, me funksion të përqendruar kryesisht në mbrojtje, gjë që vihet re edhe nga mungesa e dritareve dhe volumi i mbyllur. Ajo ka një lartësi prej 15 metrash dhe ndahet në katër kate.
E ndërtuar në shekullin e XIX-të, Kulla e Turanit përfaqëson tipologjinë karakteristike të kullave fushore të juglindjes se vendit./atsh