Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit, ASHAK-u e nderon me mbledhje komemorative

Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit, ASHAK-u e nderon me mbledhje komemorative

Kultura January 03, 2026 - 10:03

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së akademikut Nexhat Daci, ku u vlerësua kontributi i tij i jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës, arsimit dhe institucioneve të Kosovës.

Në këtë mbledhje, nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Fejzullah Krasniqi, i cili prezantoi biografinë e gjerë dhe të begatë të akademikut Daci, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur thellë komunitetin akademik dhe qytetarët e Kosovës.

“Lajmi pikëllues na ka tronditur thellë të gjithë neve anëtarëve të Akademisë së Shkencave, qytetarëve të Kosovës, punëtorëve administrativë e teknikë. Nuk është ndalur nga qëllimi i tij për përparimin e vendit. Populli ynë e ka një fjalë të urtë e të mençur: nuk vdes ai që mbulohet, por vdes ai që shpejt harrohet. Akademik Daci, me punën e vet kolektive, me brezat që ka lënë pas të studentëve dhe me një familje të mrekullueshme që ka lënë pas, ka siguruar që do të mbetet përgjithmonë i paharruar nga opinioni shkencor e arsimor i Kosovës”, tha ai.

Image

Gjatë mbledhjes u lexua edhe telegrami i Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të cilin e lexoi sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, profesori Enver Hamiti, ku u theksua roli i rëndësishëm i Dacit në shkencë dhe në ndërtimin e institucioneve akademike.

Image

“Akademik Nexhat Daci do të përkujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës dhe kimisë, për përkushtimin shumëvjeçar në formimin e brezave të rinj të studiuesve dhe pedagogëve, si dhe për përkushtimin e tij aktiv për formimin dhe forcimin e institucioneve akademike të Kosovës. Veprimtaria e tij shkencore, e shoqëruar me përvojë të gjerë ndërkombëtare, ka kontribuar ndjeshëm në afrimin e shkencave shqiptare në hapësirat akademike evropiane dhe më gjerë”, thuhej në telegramin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në emër të familjes, e bija e akademikut Nexhat Daci, Majlinda Daci, e emocionuar, falënderoi të pranishmit për nderimin dhe respektin e treguar, duke ndarë edhe pjesë nga jeta personale dhe rrugëtimi i babait të saj.

Image

“Në emër të familjes sonë ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për respektimin, nderimin dhe fjalët e mira që sot i janë kushtuar babit tonë. Prania juaj këtu është dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një akademik, një profesor apo një udhëheqës institucional, sot kujtojmë një njeri që jetën e tij e jetoi me dinjitet, sakrificë dhe shërbim të pandërprerë ndaj dijes, vendit dhe njerëzve. Babi qysh herët, që nga mosha 4-vjeçare, jeta ia vuri mbi supe barrën e rëndë të rritjes pa prindër; ishte një fillim i vështirë, por për babin kjo mungesë u shndërrua në forcë, kjo dhimbje në karakter dhe kjo vështirësi në vullnet të palëkundur për të ecur përpara”, tha ajo.

Akademik Nexhat Daci, i cili kishte shërbyer edhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës, u varros të premten, më 2 janar, me nderime të larta shtetërore. /eo