Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të veriut të Shqipërisë

Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të veriut të Shqipërisë

Kultura January 22, 2026 - 08:45

Një element i trashëgimisë kulturore jomateriale që ruhet dhe transmetohet sot nga një numër i kufizuar artizanesh të Shkodrës, Tropojës dhe Kukësit, është qëndistaria tradicionale me dorë, dhe veçanërisht punimi me oje.

Punimi me oje (ojna) është një teknikë që realizohet përmes gjilpërës dhe perit dhe karakterizohet nga hollësia e punimit, kompleksiteti i motiveve dhe vlera e lartë estetike e simbolike që mbart.

Kjo është një nga format më të veçanta dhe të rralla të qëndistarisë tradicionale me dorë. Tradita e qëndistarisë ka qenë historikisht e zhvilluar dhe e lidhur ngushtë me identitetin kulturor lokal. Tradicionalisht, punimi me oje përdorej si element dekorues në shamitë e kokës së grave, duke pasur funksion estetik dhe simbolik në veshjet tradicionale femërore.
Në kontekstin bashkëkohor, artizanet po përpiqen ta përshtatin këtë teknikë në produkte të reja artizanale, duke respektuar format dhe parimet tradicionale, me synimin për ta mbajtur gjallë dhe për ta transmetuar këtë element elitar të trashëgimisë kulturore brezave të ardhshëm. /atsh

Image
Image