Përvjetori i lindjes së Elena Gjikës, pionierja e letërsisë dhe emancipimit
Sot shënohet përvjetori i lindjes së Elena Gjikës, e njohur gjerësisht me pseudonimin Dora d’Istria, një nga figurat më të shquara të letërsisë, politikës dhe kulturës shqiptare në shekullin XIX. Ajo lindi në Bukuresht më 1828 nga prindër shqiptarë dhe u arsimua në disa qendra të mëdha evropiane, përfshirë Dresdenin, Vjenën, Itali dhe Berlinin, ku u diplomua në letërsinë e vjetër greke.
Pas kthimit në vendlindje, Elena u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski dhe jetoi për disa vite në Shën Petërsburg, por u përball me sfida për shkak të pikëpamjeve të ndryshme kulturore dhe nacionaliste. Pas disa udhëtimeve në Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali, ajo filloi të botojë veprat e saj dhe shpejt spikati si publiciste dhe shkrimtare, duke përdorur emrin Dora d’Istria.
Elena Gjika ishte e para femër që u ngjit në Mont Blanc në vitin 1860 dhe u bë e njohur në gjithë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore dhe studiuese. Shkroi në gjashtë gjuhë dhe trajtoi tema të emancipimit të grave, shkencës, fesë, politikës dhe kulturës. Veprat e saj më të njohura përfshijnë “Gratë e Orientit” (Paris, 1860) dhe “La Suisse allemande” (Gjenevë, 1856).
Si një ndër pionieret e çështjes shqiptare në Evropën Perëndimore, Elena u angazhua në njohjen dhe promovimin e historisë dhe kulturës shqiptare dhe mbajti kontakte të ngushta me rilindës dhe veprimtarë të shquar si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda dhe Zef Jubani. Ajo botoi studime të rëndësishme si:
“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (1866)“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (1867)
“Shqiptarët në Rumani” (1873)
Për kontributin e saj në njohjen e çështjes shqiptare, iu kushtuan edhe vepra të dedikuara nga patriotë rilindës dhe komunitete arbëreshe.
Elena Gjika vdiq më 17 nëntor 1888 në Firence, në moshën 60-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe intelektuale që frymëzon ende sot. /KultPlus