Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP bëhet anëtar i Këshillit Evropian për Gjuhët
Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në Universitetin e Prishtinës është pranuar si anëtar institucional me të drejta të plota në Këshillin Evropian për Gjuhët (CEL/ELC), një rrjet prestigjioz evropian që bashkon universitete dhe institucione të specializuara në fushën e gjuhëve.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.
Sipas Nagavcit, Këshilli Evropian për Gjuhët promovon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin dhe avancimin e studimeve gjuhësore. Ajo theksoi se ky anëtarësim rrit vizibilitetin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës dhe hap mundësi të reja për bashkëpunim akademik, projekte të përbashkëta dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin akademik.
Ministrja shtoi se përfshirja në këtë rrjet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit akademik evropian dhe konfirmon përkushtimin për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.
Nagavci theksoi gjithashtu se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa dhe projekte që synojnë avancimin e arsimit në Kosovë, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që gjuhët luajnë në zhvillimin akademik dhe integrimin ndërkombëtar.