Interesim i madh për kurset e gjuhës japoneze në UP
Foto: Laura Hasani

Interesim i madh për kurset e gjuhës japoneze në UP

Kultura February 05, 2026 - 11:18

Lindita Sidiu, profesoreshë, dhe Aurita Gallapeni, studente në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, kanë folur për ofertën e re të Universitetit për kurse të gjuhës japoneze për studentët dhe të interesuarit.

Ky aktivitet po mbahet për herë të tretë, por kësaj radhe është më i veçantë, pasi realizohet në lidhje të drejtpërdrejtë me Japoninë dhe me profesorë nga atje.

Profesoresha Lindita Sidiu tregoi se Qendra e Gjuhëve në Universitetin e Prishtinës është themeluar në vitin 2019 me qëllim ofrimin e kurseve dhe certifikimeve në gjuhë të ndryshme, ndërsa theksoi edhe bashkëpunimet e zhvilluara ndër vite për mësimin e gjuhës japoneze.

“Në vitin 2019 është themeluar Qendra e Gjuhëve nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, me kërkesën tonë si fakultet. Ideja ka qenë të ofrojmë kurse, trajnime dhe certifikime për gjuhë të ndryshme, fillimisht në gjuhët lokale dhe zyrtare në Kosovë, e më pas edhe në gjuhë të tjera të rajonit dhe gjuhë të mëdha botërore që nuk kanë pasur traditë të mësohen në Kosovë.
Në vitin 2024, kur isha dekane e Fakultetit të Filologjisë, kemi bërë marrëveshje me Asociacionin Kosovaro-Japonez, i cili kishte lidhje me Ambasadën Japoneze dhe institute të ndryshme në Japoni për mësimdhënien e gjuhës japoneze jashtë Japonisë. Janë zhvilluar disa bashkëpunime dhe dy herë janë mbajtur kurse. Sivjet është nënshkruar një marrëveshje direkte ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe institucionit përkatës në Japoni. Thirrja u publikua në rrjetet sociale të universitetit dhe iu dërgua studentëve me e-mail, dhe për habinë tonë pati interesim shumë të madh: rreth 200 aplikime brenda 24 orëve”, tha Lindita Sidiu, profesoreshë.

Ndërkohë, studentja Aurita Gallapeni shprehu interesimin e madh të studentëve për gjuhën dhe kulturën japoneze, duke theksuar nevojën për zgjerimin e ofertës me kurse edhe në gjuhë të tjera.

“Interesimi ka qenë përmes e-mailit. Kur e pashë, më erdhi interesante gjuha japoneze. Jam e interesuar gjithmonë, më pëlqen kultura dhe ushqimi, dhe aplikova pse jo. Besoj se edhe do të zgjidhem, pasi që, siç e cek edhe profesoresha, do të ndodhë një short për shkak të numrit të madh të aplikantëve. Do të kisha cekur që jo vetëm gjuha japoneze, por edhe shumë gjuhë të tjera të mbahen kurse të tilla, sepse interesimi është i madh”, tha Aurita Gallapeni, studente. /rtk