U promovua libri “Ali Pashë Tepelena në artin botëror” i Luan Tashit

U promovua libri “Ali Pashë Tepelena në artin botëror” i Luan Tashit

Kultura February 06, 2026 - 02:51

Në librarinë ‘Dukagjini’, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, u mbajt promovimi i librit më të ri të studiuesit Luan Tashi, “Ali Pashë Tepelena në artin botëror – Pararendës i Pavarësisë Shqiptare”.

Ky botim vjen si libri i dytë i autorit, pas veprës së njohur “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, dhe përbën një kontribut të rëndësishëm në studimet historike, kulturore dhe ikonografike shqiptare.

Libri i qaset figurës së Ali Pashë Tepelenës përmes pasqyrimit të tij në artin botëror, duke analizuar piktura, gravura, ilustrime dhe burime ikonografike nga arkiva të ndryshme evropiane. Autori sjell në vëmendje mënyrën se si Ali Pasha është perceptuar, interpretuar dhe mitizuar nga artistë e udhëtarë të huaj ndër shekuj, duke e trajtuar atë jo vetëm si figurë historike, por edhe si simbol me domethënie politike dhe kulturore.

Në panelin e promovimit folën Prof. Dr. Durim Abdullahu dhe Prof. Zake Prelvukaj, të cilët vlerësuan rëndësinë e veprës dhe qasjen e autorit në ndërthurjen e historisë me artin.

Gjatë promovimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me autorin dhe të diskutojnë mbi temat që libri trajton, duke e shndërruar ngjarjen në një mbrëmje reflektimi kulturor dhe historik.