Promovohet libri për Adem Demaçin – Kritikohet shteti se nuk po bën asgjë për figurën e tij
Është ditëlindja e 90-të e Adem Demaçit. E ky përvjetor, bëri bashkë, ish-shokët e burgut, të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare.
Kështu, ish-të burgosurit politik, mesditen e së enjten u mblodhën në Institutin Albanologjik të Kosovës.
Krejt kjo, për promovimin e veprave në tri vëllime “Rrugëtimi me Adem Demaçin”, me autor Selatin Novosellën.
Fillimisht, një përmbledhje të veprave e bëri anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Artit, Arsim Bajrami.
“Vëllimi i parë, 1962-96 trajton periudhën e përballjes së drejtpërdrejt me aparatin represiv jugosllav, burgimet e gjata politike dhe formimin e Adem Demaçit, is figurë të rezistencës kombëtare. Vëllimi i dytë 1996-2015, analizon rolin e tij në periudhën më dramatike të historisë sonë moderne, luftën çlirimtare dhe përfaqësimin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sfidat e pasluftës. Vëllimi i tretë, përfshin periudhën 2015-2018, dhe ka një vlerë të veçantë dokumentare dhe etike. Ai pasqyron vitet e fundit të jetës së Adem Demaçit, reflektimet e tij për shtetin e Kosovës, për drejtësinë, për devijimet politike dhe për rrezikun e harresës historike”, ka thënë Bajrami.
Adem Demaci, kishte kaluar plot 28 vjet burgim në burgjet jugosllave.
Prandaj, autori ka një arsyet pse nuk pret falënderim për botimin e ketyre veprave.
“Këtu nuk është veç ai Adem Demaçi i burgjeve, i kiameteve, i zahmeteve, i dilemave, i shqetësimeve. Por, është një Adem pak më ndryshe. Na po e kryejmë veç një borxh ndaj Adem Demaçit, e kur kryhet borxhi, nuk ka nevojë m’i thanë kërkujt faleminderit”, u shpreh Nivosella
Ish i burgosuri politik, Selatin Novosella, shprehu paknaqësi për atë se çfarë ka bërë shteti për Adem Demaçin.
“Ministria e Kulturës para shumë vitesh, e ka shpallë monument të trashëgimisë kulturore. Ajo shtëpi, po rrënohet. Është emërtuar sheshi më i mirë, jo në Prishtinë, por në Kosovë, sheshi “Adem Demaçi”, 86 ari. Në hyrje të Prishtinës i vetmi shesh që ka Prishtina është ai, edhe Rugova, edhe Skenderbeu, edhe Nëna Terezë, edhe Zahir Pajaziti janë në tortuare. Dhe ka mbetë kaq, është vu një gurthemel dhe ka mbetë në harresë.. Librat e Adem Demaçit, shtatoren, shtëpinë e tij e të UÇK-së, duhet t’i bëjë shteti i Kosovës”, u shpreh tutje Novosella.
Adem Demaçi, që cilësohet si “Mandela” i Ballkanit, vdiq në korrik të vitit 2018.
