Opera e Kosovës do të sjellë mbrëmje koncertale më 7 mars në Prishtinë

Opera e Kosovës do të sjellë mbrëmje koncertale më 7 mars në Prishtinë

Kultura March 06, 2026 - 15:43

Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës do të sjellin një mbrëmje të veçantë koncertale nesër më 7 mars në Prishtinë. Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, me fillim nga ora 19:00.

Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, në këtë koncert do të performojnë si soliste pianistet Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri, në një bashkëpunim të veçantë për dy piano, kor dhe orkestër. Programi i mbrëmjes ndërthur krijimtarinë shqiptare bashkëkohore me repertorin ndërkombëtar, duke sjellë një përvojë të pasur artistike për publikun.

Pianistja Artemida Qarri konsiderohet një nga emrat më aktivë të skenës koncertale shqiptare. Ajo njihet për virtuozitetin, ndjeshmërinë interpretative dhe saktësinë teknike, duke ndërtuar një profil artistik të dallueshëm në interpretimin e muzikës klasike dhe bashkëkohore.

Studimet master i ka përfunduar në Konservatorin Shtetëror “Lorenzo Perosi” në Itali, ndërsa doktoratën në drejtimin Piano Interpretim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Gjatë karrierës së saj ka zhvilluar një veprimtari të gjerë koncertale, duke interpretuar vepra të kompozitorëve si Béla Bartók, Dmitri Shostakovich, Alfredo Casella, Ottorino Respighi dhe Luciano Berio.

Ajo ka performuar në skena ndërkombëtare në Itali, Francë, Suedi, Norvegji, Izrael dhe Danimarkë, ndërsa si soliste ka bashkëpunuar me Filharmoninë e Kosovës, Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut dhe Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe me dirigjentë dhe artistë të njohur ndërkombëtarë.

Gjithashtu, edhe pianistja dhe profesoresha universitare Elizabeta Qarri do të performojë në piano së bashku me Orkestrën dhe Korin e Operës së Kosovës në koncertin që do të mbahet më 7 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

E shquar për një profil muzikor shumëdimensional që ndërthur artin me kërkimin shkencor, pedagogjinë muzikore dhe reflektimin kritik si vokacion kulturor, Qarri është pianiste, profesore universitare dhe studiuese e muzikës me një kontribut të gjatë në jetën artistike dhe akademike.

Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe të doktoratës i ka ndjekur në Maqedoninë e Veriut. Prej më shumë se tri dekadash ajo kontribuon aktivisht në zhvillimin e jetës muzikore dhe të arsimit artistik në Kosovë.

Si pianiste, Qarri ka performuar në skena ndërkombëtare në Finlandë, Zvicër, Norvegji, Kroaci, Suedi dhe Danimarkë, duke prezantuar një repertor të pasur dhe interpretim të rafinuar artistik.

Në fushën shkencore, ajo është autore e një monografie dhe e disa publikimeve me recension ndërkombëtar. Gjithashtu ka qenë anëtare e këshillave artistike dhe komisioneve kulturore në Kosovë, si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Komisionit të Përhershëm të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkohë, dirigjenti Edon Ramadani është një nga figurat aktive të skenës muzikore në Kosovë dhe profesor i asociuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Studimet bachelor i ka përfunduar në drejtimet Pedagogji e Përgjithshme Muzikore dhe Dirigjim, ndërsa studimet master në Shkup në drejtimin Dirigjim Orkestral dhe Koral.

Gjatë karrierës së tij, Ramadani ka dirigjuar një repertor të gjerë kameral, koral, orkestral dhe vokalo-instrumental me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Johann Sebastian Bach, Joseph Haydn, Wolfgang Amadeus Mozart, Ludwig van Beethoven, Franz Schubert, Gabriel Fauré dhe Carl Orff, duke performuar në vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Në vitin 2024 ai dirigjoi edhe premierën historike në Kosovë të operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut” nga kompozitori Rauf Dhomi.

Aktualisht, Ramadani është dirigjent permanent i Korit dhe Orkestrës së Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Orkestrës Kamerale “New Born”, Orkestrës Frymore “Prizreni” dhe Korit Kameral “Dardanica”.

Koncerti i 7 marsit pritet të sjellë një mbrëmje të pasur muzikore, duke bashkuar në një skenë artistë të njohur dhe repertor të zgjedhur nga muzika klasike dhe ajo bashkëkohore./KultPlus.com

Image