100-vjetori i lindjes së Manushit, Gonxhja: Veprat e saj do ruhen me cilësi

100-vjetori i lindjes së Manushit, Gonxhja: Veprat e saj do ruhen me cilësi

Kultura March 06, 2026 - 17:49

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përkujtoi sot në 100-vjetorin e lindjes, një nga figurat më emblematike të skenës dhe ekranit shqiptar aktoren Violeta Manushi, Nderi i Kombit.

Gonxhja theksoi se “me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po punojnë gjatë vitit 2026 që vepra dhe interpretimi i jashtëzakonshëm i Violeta Manushit të ruhen dhe të përcillen me cilësinë më të mirë për brezat e ardhshëm”.

“Me talentin e saj të rrallë, me humorin e ngrohtë dhe me humanizmin e thjeshtësinë që përcillte në çdo rol, ajo krijoi personazhe që mbeten të gjalla në kujtesën e publikut ende edhe sot”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Gonxhja u shpreh se “arti i saj ishte i thjeshtë në dukje, por i thellë në ndjenjë; plot jetë, fisnikëri dhe dashuri për njeriun. Në çdo interpretim, Violeta Manushi sillte një prani të veçantë, një kombinim të elegancës, spontanitetit dhe shpirtit popullor që e bëri atë të paharrueshme për breza të tërë”.

“Një nga rolet e saj më ikonike mbetet personazhi i Ollgës në filmin “Zonja nga qyteti”, (Milkani, 1976) një figurë që u bë pjesë e pandashme e kujtesës kulturore shqiptare dhe që vazhdon të ngjallë buzëqeshje, nostalgji dhe dashuri te publiku”.

Violeta Manushi lindi më 6 mars 1926 në Korçë. Në moshën 20-vjeçare, u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit në vitin 1946. U shqua për vërtetësi, natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.

Manushi u shndërrua në një ikonë të artit skenik shqiptar. Ajo shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), teto Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe “Një shoqe nga fshati”, teton te komedia ikonë “Pallati 176” (1985).

Ajo ka interpretuar role në 16 filma: “Tana”, “Rrethimi i vogël”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Zonja nga qyteti”. Këto janë disa prej realizimeve ku spikati më shumë për forcën e saj aktoriale. /atsh