Ura e Nivanit, monument me histori dhe arkitekturë të veçantë
Ura e Nivanit, në Zagori, është Monument Kulture me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore.
Kjo urë i dha jetë komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit, vijonin në Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet. Sot ajo vizitohet për historinë, vlerat arkitektonike dhe natyrën e bukur përreth.
Ura e Nivanit mbi lumin e Zagories lidh sot Nivanin me Ndëranin e Topovën. Ajo ndodhet ngjitur me mullirin me dy kate të fshatit dhe afër manastirit të Nivanit, një ndërtim i shekullit XVIII.
Kjo urë ngrihet me kurriz mjaft të lartë në kyçin e harkut kryesor. Si kompozim është zgjidhur me një hark të madh mbi rrjedhën e lumit dhe me një më të vogël mbi tokë, djathtas tij, si edhe me një dritare lehtësuese ndërmjet tyre. Harku i madh me hapësirë 13,4 m është i punuar me qemer të dyfishtë (1,12 m) e me mbështetje të pjerrët rreth 3,5 m mbi nivelin e ujit. /atsh