75-vjetori i Arkivit të Kosovës shënohet me aktivitete të ndryshme në Prishtinë
Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do ta shënojë këtë jubile me një program njëjavor aktivitetesh, nga sot e deri më 27 mars 2026.
Dita e sotme e shënimit të 75-vjetorit të Arkivit të Kosovës përfshin: tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrje ndërkombëtare, nënshkrim marrëveshjesh bashkëpunimi, hapje ekspozitash, promovim botimesh, akademi solemne e shoqëruar me shfaqjen e dokumentarit “75 vjet Arkivi i Kosovës - kujtesë, dokument, histori”, si dhe programi artistik nga Kuinteti harkor i Filarmonisë së Kosovës.
Në kuadër të kësaj ngjarje, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në datat 25, 26, 27 mars 2026, organizon aktivitetin tradicional Java e Arkivit të Hapur.
Gjatë kësaj jave Arkivi do të mirëpresë studentë, nxënës, studiues dhe të gjithë të interesuarit, të cilët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me punën dhe aktivitetet profesionale të arkivit.
