“Mallkimi i dijes”, pse njerëzit e zgjuar shpesh shkruajnë keq?
Profesori i njohur i Harvardit, Steven Pinker, ka ndarë një nga konceptet më të rëndësishme për të kuptuar pse shumë tekste nga ato akademike deri te shkrimet e përditshme shpesh dështojnë të komunikojnë qartë me lexuesin.
Sipas tij, problemi nuk lidhet me mungesën e inteligjencës apo përpjekjes, por me një fenomen që ai e quan “mallkimi i dijes”. Ky koncept nënkupton se, sapo një person e kupton thellë një temë, e humb aftësinë për të kujtuar si është të mos e dijë atë, shkruan KultPlus.
Pinker shpjegon se kjo i bën njerëzit të përdorin terma të ndërlikuar dhe zhargon, pa e kuptuar se lexuesi nuk po i ndjek. Ai solli si shembull një shkencëtar që gjatë një prezantimi, përdori gjuhë aq të ndërlikuar sa humbi vëmendjen e gjithë audiencës, pa e kuptuar vetë këtë.
Sipas tij, shkrimi i dobët nuk është problem karakteri, por mungesë empatie. Për të shkruar mirë, nuk mjafton të përpiqesh më shumë duhet të vendosesh në vendin e lexuesit dhe të testosh tekstin me njerëz realë që nuk janë pjesë e fushës tënde.
Një tjetër ide kyçe që ai thekson është se gjuha nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të krijuar kuptim. Lexuesi nuk përthith thjesht fjalët, por imazhin dhe ndjesinë që ato krijojnë. Nëse një tekst nuk krijon një pamje të qartë në mendje, atëherë ai nuk është kuptuar plotësisht.
Pinker kritikon përdorimin e tepruar të koncepteve abstrakte, duke theksuar se ato shpesh nuk krijojnë asnjë imazh konkret. Ai vëren se shkrimtarët e vjetër përdornin përshkrime më të gjalla dhe konkrete, duke e bërë tekstin më të kuptueshëm dhe më të fuqishëm, përcjell KultPlus.
Një tjetër parim i rëndësishëm që ai përmend është shkurtësia. Sipas tij, kjo nuk lidhet thjesht me numrin e fjalëve, por me eliminimin e çdo fjale të panevojshme që e lodh lexuesin pa i dhënë vlerë.
Në fund, Pinker thekson se “mallkimi i dijes” është një pengesë reale për komunikimin, por zgjidhja është e thjeshtë: të mendosh si lexuesi dhe të shkruash në mënyrë të qartë, konkrete dhe të kuptueshme.