Ballakumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

Ballakumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

Kultura April 06, 2026 - 09:59

Riti tradicional i përgatitjes së ballakumes, ëmbëlsirës ikonë të trevës së Elbasanit, është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Kjo njohje vlerëson rëndësinë e saj si simbol autentik i identitetit dhe traditës kulinare shqiptare, i lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës dhe përkujdesin e brezave për ruajtjen e recetës origjinale.

Familjet elbasanase kanë ruajtur me përkushtim recetën dhe pajisjet tradicionale qindravjeçare të gatimit.

Kreshnik Kaliqi, mjeshtër i ballakumes prej gati 40 vitesh, tregon se kusia e tij është 250 vjeçare dhe ruhet me fanatizëm si trashëgimi nga stërgjyshja e tij, ndërsa përgatitja bëhet sipas traditës, me miell misri, gjalpë dhe vezë fshati.

Vendimi i Ministrisë së Kulturës konsiderohet një vlerësim për stërgjyshet që e kanë trashëguar këtë traditë mbi 400 vjet. Për banorët e Elbasanit, dita e Verës nuk mund të imagjinohet pa këtë ëmbëlsirë, që vazhdon të simbolizojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë autentike të zonës.