Mustafa Krantja, ikonë e muzikës shqiptare

Mustafa Krantja, ikonë e muzikës shqiptare

Kultura April 10, 2026 - 10:36

Më 10 prill të vitit 1921 u lind në Kavajë dirigjenti dhe kompozitori i njohur, Mustafa Krantja.

Shkollën e mesme e kreu në Tiranë, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Arteve në Pragë, ku u njoh me repertorin klasik evropian dhe u formua si dirigjent profesionist.

Pas diplomimit u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1951 themeloi Orkestrën Simfonike të Teatri i Operës dhe Baletit. Në vitin 1964 themeloi Konservatorin e Arteve (sot Universiteti i Arteve), duke hapur për herë të parë degën e dirigjimit në një institucion të lartë artistik shqiptar.

Si pedagog i dirigjimit ai edukoi breza të rinj, duke vendosur bazat e traditës së dirigjimit në muzikën klasike shqiptare.

Në karrierën e tij shumëvjeçare ai dirigjoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë në të gjitha gjinitë, nga kënga deri tek opera e baleti. Ai dirigjoi operat e para shqiptare “Mrika” dhe “Skënderbeu”, si dhe baletin e parë shqiptar “Halili dhe Hajria”.

Mustafa Krantja ishte krijues i 20 veprave madhore muzikore, vokale e simfonike. Në shenjë respekti për punën e palodhur, angazhimin dhe përkushtimin e tij, ai është vlerësuar me çmime të shumta, ndër të cilat dekoratën ndërkombëtare “A. Dvowák”,(1975) të akorduar nga autoritetet muzikore çeke, dhe urdhrin “Nderi i Kombit”, i akorduar pas vdekje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

U nda nga jeta më 4 janar 2002, në Tiranë. /atsh