“Odyssey” dhe “Spider-Man” pushtojnë kinematë gjermane, mbi 100 milionë bileta pritet të shiten gjatë vitit 2026
Më shumë se 100 milionë bileta kinemaje mund të shiten në Gjermani gjatë vitit 2026, për herë të parë që nga pandemia e koronavirusit.
Rritja e numrit të shikuesve gjatë gjysmës së parë të vitit, së bashku me suksesin e dy filmave të rinj, “The Odyssey” dhe “Spider-Man: Brand New Day” po i japin një shtysë të madhe industrisë së kinemasë.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, në Gjermani u shitën rreth 47,5 milionë bileta, ose 16,9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Bordit Federal të Filmit (FFA).
Të ardhurat nga shitja e biletave arritën në rreth 502,2 milionë euro, duke u rritur me 24,5% në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2025.
Shifrat pozitive vijnë pas një vere shumë të suksesshme për kinematë gjermane, e nxitur veçanërisht nga dy filma të mëdhenj të Hollywood-it: “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, dhe “Spider-Man: Brand New Day”, të dy të lansuar në korrik.
“Nëse kjo tendencë pozitive vazhdon, 2026-a mund të jetë viti më i suksesshëm për kinematë gjermane që nga pandemia”, tha Peter Dinges, drejtori ekzekutiv i FFA-së.
Sipas tij, industria e kinemasë po e pret me shumë optimizëm pjesën e mbetur të vitit.
FFA-ja tha se gjysma e parë e vitit 2026, shënoi rezultatin më të mirë të kinemave gjermane që nga pandemia e COVID-19.
Megjithatë, numri i biletave të shitura ishte ende rreth 6 milionë më i ulët se në vitin 2019, ndërsa të ardhurat ishin rreth 9% më të larta, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të biletave.
Në vitin 2019, para pandemisë, në Gjermani u shitën rreth 119 milionë bileta kinemaje.
Kur koronavirusi u përhap në vitin 2020, kinematë në të gjithë Gjermaninë u detyruan të mbylleshin.
Industria e filmit pësoi një ndërprerje të paprecedentë dhe numri i shikuesve u rikuperua ngadalë në vitet që pasuan. /atsh