Të vallëzosh me dezinfektues – ky është rregulli i klubeve të natës në Kinë
Foto: Reuters

Të vallëzosh me dezinfektues – ky është rregulli i klubeve të natës në Kinë

Kuriozitete May 26, 2020 - 11:12

Shumica prej klubeve të natës në Kinë janë rikthyer “në jetë” pasi pronarët dhe klientët po ndihen më të sigurt tashmë në kontrollimin e koronavirusit. Diçka më ndryshe prej përvojave para virusit janë dezinfektuesit, tasat njëpërdorimësh dhe maskat.

Në “44KW”, një klub për adhuruesit e muzikës elektronike në Qendrën Financiare të Shangait, klientët gjatë fundjavës u ulën, kërcyen dhe u përzien me njëri-tjetrit, duke e harruar distancën sociale, raporton “Reuters”-i, transmeton “Zeri.info”.

Ky klub u rihap në mes të marsit, pasi ishte mbyllur për pothuajse 6 javë, mirëpo sigurisht u desh një kohë që t’i kthehej normalitetit.

“Në fakt nuk kishte shumë njerëz dhe ata që ishin shumica shiheshin mjaft të shqetësuar për sigurinë e tyre”, tha Charles Guo, themeluesi i klubit.

“Fluksi i klientëve tanë filloi të rikthehej nga fundi prillit”, tha Guo dhe shtoi se biznesi i tij iu kthye mesatares së një viti më parë, në të njëjtën periudhë.

Por, nuk është gjithçka siç ishte më përpara.

Klubi kontrollon temperaturën e secilit klient dhe u kërkon që të regjistrojnë të dhënat e tyre.

Stafi, duke përfshirë banakierët dhe kamerierët, mban maska dhe doreza gjatë gjithë kohës. Konsumatorët nuk janë të detyruar të mbajnë maska, mirëpo shumë prej tyre e bëjnë këtë.

Disa gota janë zëvendësuar me ato të plastikës dhe klubi ka instaluar dezinfektues të duarve gjithkund.

“Dorezat e dyerve dhe tualetet dezinfektohen çdo orë, ndërsa i gjithë klubi dezinfektohet çdo ditë para dhe pas hapjes”, tha Guo.

Kina, ku u shfaq për herë të parë koronavirusi i ri në fund të vitit të kaluar, ka qenë dëshmitare e rënies drastike të rasteve me COVID-19 që nga marsi. /Zëri