Barnat për humbje peshe, të disponueshme edhe për kafshët shtëpiake
Barnat për humbje peshe mund të jenë së shpejti të disponueshme edhe për kafshët shtëpiake, sipas CBS News.
“Okava Pharmaceuticals”, me seli në San Francisko, sapo lançoi MEOW-1 — një studim klinik – gjatë të cilit u përdor një implant i vogël nën lëkurë te 50 mace për të përfituar një ilaç GLP-1 gjatë gjashtë muajve.
“Implanti, i quajtur OKV-119, është projektuar për të imituar shumë nga efektet fiziologjike të agjërimit — ndjeshmëri të përmirësuar ndaj insulinës, masë të reduktuar të yndyrës dhe metabolizëm më efikas të energjisë — pa kërkuar ndryshime të rëndësishme në rutinat e të ushqyerit ose pa prishur lidhjen njeri-kafshë që shpesh përqendrohet rreth ushqimit”, tha Michael Klotsman, CEO i “Okava”.
Sipas kompanisë, ky ilaç ka potencialin të përmirësojë cilësinë e jetës së maceve dhe të nxisë plakjen e shëndetshme.
Ekspertët thonë se afërsisht gjashtë në 10 mace në SHBA vuajnë nga mbipesha.
“Në mjekësinë veterinare për 100 vitet e fundit, e vetmja recetë që kishim ishte pakësimi i ushqimit dhe kjo nuk funksionon për të gjitha llojet e obezitetit”, tha Dr. Ernie Ward, një ekspert i lartë i obezitetit për kafshët shtëpiake.
Ward tha se përfitimet mund të shkojnë përtej humbjes së peshës, duke iu referuar të dhënave njerëzore që tregojnë përmirësime në rrezikun e diabetit dhe shëndetin afatgjatë.
Sipas “Okava”, ilaçi t’u kushtojë pronarëve rreth 100 dollarë në muaj.
Rezultatet nga prova MEOW-1 priten verën e ardhshme.
Kompania do të kërkojë miratimin e FDA-së për përdorim nga macet në dy vitet e ardhshme – dhe shumë shpejt edhe nga qentë./atsh