Pse disa nuk flenë dot pa u mbuluar edhe në ditët më të nxehta të verës? Ja çfarë thotë shkenca

Pse disa nuk flenë dot pa u mbuluar edhe në ditët më të nxehta të verës? Ja çfarë thotë shkenca

Lifestyle August 02, 2025 - 23:41

Ndërsa disa njerëz mezi durojnë një çarçaf të hollë gjatë netëve të nxehta, të tjerë nuk mund të flenë pa u mbuluar plotësisht, edhe kur temperaturat janë përvëluese. Këto zakone gjatë gjumit nuk lidhen vetëm me preferencat apo ndjesinë fizike, por edhe me faktorë psikologjikë dhe shkencorë.

Sipas ekspertëve, ndjesia e të qenit i mbuluar aktivizon sistemin nervor parasimpatik, një pjesë e sistemit tonë që ndihmon trupin të relaksohet dhe të ulë nivelin e alarmit. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz ndihen më të sigurt dhe më të qetë kur janë të mbuluar, edhe nëse është vapë, shkruan A2 CNN.

Një studim i publikuar në vitin 2011 nga Departamenti i Anesteziologjisë në Universitetin e Kalifornisë zbuloi se presioni i ushtruar nga batanijet ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve kronike dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit. Madje, përdorimi i batanijeve është lidhur edhe me përmirësime në shëndetin mendor te të rriturit që vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Kërkues nga Universiteti i Flinders dhe Universiteti i Adelaide në Australi kanë treguar gjithashtu se mbulesat mund të ofrojnë ndjenjë qetësie dhe relaksimi trupor. Megjithatë, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që përdorimi i tyre është i dobishëm për të gjithë, veçanërisht për fëmijët me çrregullime si ADHD apo spektri autik. Për disa, mbulesat ofrojnë rehati; për të tjerë, mund të rrisin ankthin.

Pra, edhe në ditët më të nxehta të verës, dëshira për t’u mbuluar nuk është thjesht zakon, është reagim i natyrshëm i trupit për t’u ndier i mbrojtur dhe i qetë.