
Dita Botërore e Kafesë, pro dhe kundër ekspresit
Tetori është Dita Botërore e Kafesë, një element bazë në traditën perëndimore.
Por, a duhet të kufizohet konsumi i saj? Apo të shmanget? Cilat janë përfitimet e kafeinës? Çfarë mund të zgjedhim si alternativë ndaj kafesë?, janë disa nga pyetjet që Massimo Spattini, autor i librit “Tri çelësat e jetëgjatësisë” u përgjigjet këtyre pyetjeve.
Kafeina, përfitimet dhe pasojat
Kafeina, përmes një sërë mekanizmash kompleksë qelizorë, rrit forcën e tkurrjes së muskujve edhe në frekuenca të ulëta stimulimi.
Ajo nxit rritjen e lipolizës dhe ruajtjen e glikogjenit të muskujve, falë rritjes së oksidimit të acideve yndyrore të lira.
Për më tepër, përmirëson rrjedhën koronare të gjakut (rritjen e rrjedhës së gjakut në zemër), prodhimin kardiak (rritjen e rrjedhës së gjakut në inde) dhe presionin sistolik të gjakut.
Duke kaluar me shpejtësi barrierën gjak-tru, kafeina dhe metabolitët e saj rrisin ngacmueshmërinë neuronale dhe lehtësojnë rekrutimin e neuroneve motorike, duke lehtësuar kështu transmetimin e sinjalit midis sistemit nervor qendror dhe periferik.
Disavantazhet e saj
Rrit prodhimin e kortizolit dhe adrenalinës: 200 mg (rreth dy filxhanë kafe) mund të rrisin nivelet e kortizolit brenda një ore dhe t’i mbajnë ato të larta gjatë gjithë ditës.
Tek njerëzit që e metabolizojnë kafeinën ngadalë, kjo mund të dëmtojë cilësinë e gjumit, duke çuar në një rritje të mëtejshme të kortizolit gjatë natës.
Nivelet e larta kronike të këtij hormoni kanë efekte katabolike në muskuj, nxisin rezistencën ndaj insulinës dhe pengojnë humbjen e peshës.
Për këto arsye, kafeina është një thikë me dy presa: mund të jetë e dobishme në ditë veçanërisht të vështira për të mbështetur performancën fizike ose mendore, por nuk rekomandohet për ata të predispozuar ndaj stresit kronik ose me prodhim të lartë të kortizolit.
Kafeja, pro dhe kundër
Konsumi i kafesë është i rrënjosur thellë në stilin e jetës së shumicës së perëndimorëve dhe më gjerë.
Studimet mbi efektet e kafesë janë shpesh kontradiktore. Nga njëra anë, kafeina që përmbahet në kafe mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe të rrisë nivelet e kortizolit, duke predispozuar për hipertension dhe rezistencë ndaj insulinës.
Nga ana tjetër, studime të shumta nxjerrin në pah përfitimet e kafesë falë përmbajtjes së saj antioksiduese: konsumi i rregullt (pa sheqer, sigurisht) shoqërohet me një ulje të rrezikut të diabetit të tipit 2 deri në 35%.
Një studim i botuar në ”New England Journal of Medicine” tregoi se pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë zvogëlon rrezikun e vdekshmërisë me 10% tek burrat dhe 13% tek gratë.
Për shumë njerëz, kafeja është burimi kryesor ditor i antioksidantëve.
Efektet e kafesë, megjithatë, varen shumë nga metabolizmi individual i kafeinës, i cili ndodh në mëlçi dhe ndikohet nga variacionet gjenetike.
Përafërsisht gjysma e popullsisë ka një metabolizëm të ngadaltë të kafeinës: tek këta individë, konsumi mund të shkaktojë nervozizëm, agjitacion, pagjumësi, rritje të presionit të gjakut, përkeqësim të sindromes pre-menstruale, një rrezik në rritje të abortit dhe vështirësi në detoksifikimin e barnave dhe toksinave.
Shkurt, kafeja mund të ketë efekte të dobishme ose negative në varësi të gjenetikës individuale, gjendjes shëndetësore dhe sasisë së konsumuar.
Një alternativë ndaj kafesë: çaji jeshil
Çaji jeshil është një alternativë e vlefshme ndaj kafesë.
Vetitë e tij rrjedhin kryesisht nga prania e polifenoleve dhe katekinave, të cilat bashkëveprojnë me sistemin nervor simpatik, duke stimuluar termogjenezën dhe lipolizën.
Për më tepër, çaji jeshil duket se pengon pjesërisht lipazat e zorrëve, duke reduktuar tretjen dhe thithjen e yndyrnave. Efekti i çajit jeshil varet jo vetëm nga kafeina që përmban, por edhe nga kombinimi i tij me katekinat dhe teaninën.
Kjo e fundit, një aminoacid i pranishëm në sasi të konsiderueshme, kundërvepron rritjen e kortizolit të shkaktuar nga kafeina, duke e bërë çajin jeshil një pije stimuluese, por ne te njejten kohe dhe të ekuilibruar.
Çaji jeshil mund të konsumohet si pije, por përqendrimet e përbërësve aktivë ndryshojnë shumë në varësi të llojit të çajit dhe kohës së infuzionit. Për një efekt më të qëndrueshëm, një zgjidhje është të merrni kapsula me ekstrakt të standardizuar.
E ardhmja e kafesë
Thatësira ekstreme gjatë sezonit të shirave, midis tetorit 2020 dhe marsit 2021, e ndjekur nga një ngricë e papritur në qershor-korrik 2021, e ka gjunjëzuar të gjithë sektorin e kafesë, duke shkaktuar një rritje të papritur të çmimeve të kafesë të llojit arabica.
Edhe në Afrikë pamja nuk është inkurajuese. Sipas një studimi të vitit 2017, Etiopia, prodhuesi i tretë më i madh i arabica-s në botë, mund të humbasë 39 deri në 59 për qind të zonave të saj të kultivimit të kafesë deri në fund të shekullit për shkak të rritjes së temperaturave dhe zvogëlimit të reshjeve.
Pasojat ekonomike dhe sociale për atë vend do të ishin shkatërruese, duke marrë parasysh se afërsisht 15 milionë njerëz punojnë në zinxhirin e furnizimit me kafe në Etiopi.