Disa nga ushqimet që e karakterizojnë tryezën në festën e Bajramit
Muaji Ramazan për komunitetin e myslimanëve ka rëndësi të madhe fetare, mirëpo pas katër javësh agjërim vjen festa e Fitër Bajramit.
Në tërë botën ka festime të ndryshme që e shënojnë këtë ditë, por një veçanti është edhe përgatitja e disa ushqimeve që e karakterizojnë tryezën në këtë festë, shkruan Zeri.info.
Në traditën shqiptare janë disa ushqime, të cilat e veçojnë këtë ditë, si: Çorba e Begut, vegësh tradicional, sarma, dollma ose japrak, pite të ndryshme.

Sa u përket ëmbëlsirave, bakllavaja kryeson tryezën dhe është një simbol i kësaj feste.

Por, përveç saj, në ditën e Bajramit shërbehen edhe të tjera si: tullumba, hallva dhe ëmbëlsira me kadaif.
Ushqimet që shërbehen në botë në ditën e Bajramit
Traditat e festës së Bajramit në tërë botën janë të ngjashme, pra falja e namazit të Bajramit, vizita e varrezave dhe të afërmve.
Sa u përket ushqimeve, në Egjipt mysafirët priten me “Kahk”, biskota që përgatitet me mjaltë dhe shërbehen me një gotë qumësht.

Në Indi, Pakistan e Afganistan një gjë e veçantë që përgatitet për festë është “Sheer Khurma”, një lloj pudingu kremoz me qumësht, hurma dhe sheqer.

Në Malajzi, mysafirëve u shërbehen “Luih”, ëmbëlsira të vogla të bëra prej gjalpi.
Në vendet e Lindjes së Mesme, një tjetër pijatë e preferuar në festë është “Haleem”, e cila është një gjellë që gatuhet për orë të tëra me mish qingji, thjerrëza dhe erëza.

Ndërkaq, myslimanët në Somali përgatisin “Cambaabur”, një ushqim me grurë dhe mel, sipër të cilës hidhet sheqer dhe shërbehet me jogurt. /Zëri
