Truri “manipulon kohën”: Pse ora ndonjëherë duket sikur ndalon
Një fenomen i njohur në neuroshkencë tregoi se truri i njeriut është në gjendje të “modifikojë” perceptimin e kohës për disa milisekonda, duke krijuar iluzione që kalojnë pa u vënë re në përditshmëri.
Sipas studimeve shkencore, sa herë që lëvizim shikimin nga një pikë në tjetrën — një proces i quajtur “sakadë” — truri përjeton një ndërprerje shumë të shkurtër të informacionit vizual.
Gjatë kësaj kohe, shikimi dobësohet dhe truri e “shtyp” përkohësisht për të shmangur pamjen e turbullt të realitetit.
Kjo krijon një boshllëk të vogël perceptues, disa milisekonda në të cilat në fakt nuk shohim asgjë, edhe pse kemi ndjesinë e vazhdimësisë.
Për ta kompensuar këtë ndërprerje, truri përdor një mekanizëm të veçantë.
Ai “mbush” boshllëkun duke marrë informacionin e parë që shfaqet pas lëvizjes së syve dhe e vendos atë sikur të kishte ndodhur më herët.
Ky proces njihet si një lloj “antidatimi” i përvojës vizuale.
(Antidatim – vendosja e një date ose kohe një ngjarjeje sikur ka ndodhur më herët se sa në të vërtetë.)
Studimi i publikuar në revistën shkencore “Current Biology” tregoi se truri mund të shtojë mesatarisht 200 deri në 400 milisekonda në perceptimin e kohës së një objekti të parë pas sakadës (një lëvizje shumë e shpejtë dhe e menjëhershme e syve nga një pikë në tjetrën).
Sa më e gjatë të jetë lëvizja e syrit, aq më i theksuar bëhet ky efekt.
Shembulli më i njohur i këtij fenomeni është i ashtuquajturi “iluzioni i orës që ndalon” (kronostasis).
Ai ndodh kur shikojmë për herë të parë një orë analoge pasi kemi lëvizur sytë, akrepi i sekondave duket sikur ndalet për një çast, më gjatë se normalisht. Në realitet, ora funksionon normalisht.
Është truri aiqë ka “zgjatur” në mënyrë artificiale momentin e parë të perceptimit, duke krijuar përshtypjen se akrepi ka qëndruar më gjatë në të njëjtin pozicion.
Ekspertët theksojnë se ky është një mekanizëm automatik dhe i pandërgjegjshëm, i integruar në mënyrën se si funksionon sistemi vizual i njeriut.
Ai nuk mund të çaktivizohet dhe ndodh vazhdimisht gjatë kohës që jemi zgjuar, disa herë në sekondë.
Ky zbulim tregon se perceptimi ynë për kohën dhe realitetin nuk është gjithmonë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i botës, por një koncept kompleks i trurit që synon të krijojë një përvojë të qëndrueshme dhe të pandërprerë. /atsh