Trauma është shkaku kryesor i varësisë, sipas dr. Gabor Mate.

Trauma është shkaku kryesor i varësisë, sipas dr. Gabor Mate.

Shëndetësi November 12, 2019 - 11:22
Lexo Detajet

Sipas dr. Gabor Mate, trauma është në natyrën e varësisë. “Varësia është vetëm një simptomë, jo problemi themelor. Problemi themelor është trauma,” thotë Dr. Mate.

ASHLEY ROBINSON, REGINA LEADER-POST 

“Varësia është vetëm një simptomë, jo problemi themelor. Problemi themelor është trauma.” thotë dr. Mate.

Dr. Mate ishte në Regina të mërkurën për të folur në Simpoziumin e Gjashtë Ndërkombëtar mbi Metodat Risore ndaj Drejtësisë me temë: Ku takohen Drejtësia dhe Trajtimi.

Konferenca filloi të mërkurën dhe vazhdoi deri të premten në Hotelin Saskatchewan. Pjesëmarrës ishin gjyqtarë, juristë, avokatë, këshilltarë dhe profesionistë që punojnë në gjykatat e trajtimit nga mbarë vendi, si dhe një grup njerëzish nga Shtetet e Bashkuara. Konferenca mbahet çdo dy vjet, e fundit ishte ajo që u mbajt në Vankuver.

“Shumë probleme që kanë njerëzit lidhen me një traumë në jetën e tyre… kështu që ne thërresim profesionistë për të folur në lidhje me gjërat më thelbësore të mënyrës së trajtimit të kësaj pjese të popullsisë,” tha gjykatësi Clifford Toth i gjykatës rajonale, njëri nga organizatorët e  konferencës.

Z. Mate, një doktor nga Vankuveri, ishte ndër folësit kryesorë. Ai ka punuar për 12 vjet në anën lindore të qendrës së Vankuverit, që është një ndër qendrat më dendura të përdorimit të drogës në Kanada. Ai ka shkruar edhe një libër mbi varësinë të titulluar “Në Mbretërinë e Fantazmave të Uritura”.

Fjala e tij në konferencë, “Një këndvështrim mbi Varësinë”, fokusohej në natyrën e varësisë, çfarë e shkakton atë dhe në mënyrën se si mund t’i trajtojmë sa më mirë njerëzit që vuajnë prej saj.

“Përpara se të pyesim se si të merremi me diçka, ne duhet të kuptojmë se me çfarë po merremi,” tha dr. Mate.

Varësia lidhet me traumën e dikurshme që njerëzit kanë përjetuar në jetën e tyre, tha dr. Mate. Sapo njerëzit ta kuptojnë këtë, i hapet udha trajtimit.

“Për fat të keq, pjesa më e madhe e profesionit mjekësor dhe e sistemit ligjor nuk e kuptojnë varësinë. Kësisoj trajtimi ynë dhe zgjidhjet ligjore priren të mos jenë të dobishme, madje në fakt ato shpesh priren të jenë të dëmshme,” tha ai.

Dr. Mate i shikon gjykatat e trajtimit të drogës, si ajo që operon në Regina, si një hap i hedhur në drejtimin e duhur. Gjykatat janë një hap larg metodës tradicionale të ndëshkimit. Gjykatat pranojnë se nuk ka drejtësi pa shëndet, tha Mate. Këto gjykata pranojnë se njerëzit veprojnë në mënyrë asociale për shkak të traumës së tyre.

“Kur të kuptojmë se njerëzit e varësuar janë njerëz të traumatizuar, do të na duhet të adoptojmë një qasje që do t’i ndihmojë njerëzit të shërohen nga ajo traumë, në vend që ta përkeqësojnë atë.” tha dr. Mate.

Dr. Mate e shikon konferencën si një mënyrë për të hapur mendjet e njerëzve në mënyrë që t’u japim njerëzve trajtimin e duhur.

“Ajo që unë kuptoj për këtë konferencë është se ajo përbën një përpjekje serioze dhe të mirorganizuar në drejtim të zgjerimit të diskutimit dhe të mbledhjes bashkë të njerëzve nga disiplina të ndryshme,” tha ai.