Si përhapet Covid-19 përmes ajrit? Paralajmërimi i shkencëtarëve dhe çfarë duhet të dimë për aerosolet

Si përhapet Covid-19 përmes ajrit? Paralajmërimi i shkencëtarëve dhe çfarë duhet të dimë për aerosolet

Shëndetësi September 24, 2020 - 15:57

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej muajsh se koronavirusi mund të përhapet nga aerosolet – spërklat e vogla të frymëmarrjes që përhapin njerëzit kur flasin ose teshtijnë, dhe të cilat mund të qëndrojnë pezull në ajër për jo pak kohë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, e pranoi publikisht këtë rrezik më 18 shtator. Ajo postoi udhëzime në faqen e saj në internet, duke i klasifikuar aerosolet si një nga mënyrat e përhapjes së koronavirusit, dhe duke theksuar se kishte prova në rritje se grimcat e ajrit mund të qëndrojnë pezull dhe të udhëtojnë përtej 2 metrave.

Por, tre ditë më vonë, ky udhëzim ishte fshirë. Në një shënim në vend të tij, thuhej se një draft ishte postuar gabimisht, dhe se CDC po punonte ende për përditësimin e udhëzimeve. Ky lloj ndryshimi në qëndrim, mund të shkaktojë konfuzion tek publiku. Në 5 artikuj të botuar së fundmi në “The Conversation “ u kërkua nga ekspertët të shpjegojnë se çfarë janë aerosolet, si grimcat e ajrit mund ta transmetojnë koronavirusin, dhe si të mbrohemi prej tyre.

Ç’duhet të dini për aerosolet?


Kur flisni ose këndoni, vërshimi i ajrit i prish fijet e mukusit në rrugët tuaja të frymëmarrjes, duke dërguar jashtë spërkla të ndryshme. Ndërsa më të mëdhata bien shpejt përtokë, ato më të imëtat dhe më të lehtat mund të qëndrojnë pezull në ajër.

Nëse ju jeni të prekur me Covid-19, ato spërkla mund të përmbajnë koronavirusin, dhe një studim i hershëm sugjeron se mund të jetë infektues nga disa minuta në disa orë. Ekspertët e aerosolit Bajron Erat, Andrea Ferro dhe Godarz Ahmadi nga Universiteti Klarkson, e shpjeguan mekanikën e aerosoleve në një artikull të fundit për “The Conversation”.

Ata diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë njerëzit për të mbrojtur veten e tyre.

“Vënia e një maske në fytyrë për të ulur rrezikun e ekspozimit në ajër, është tepër thelbësore”, shkruajnë ata, dhe “zvogëlimi i kohës që kalohet në zona të mbingarkuara me një ajrosje të dobët, është një mënyrë e mirë për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj koronavirusit”.

A mjafton të qëndrosh 2 metra larg tjetrit?


Këshilla e zakonshme për distancimin social, është të qëndrojmë 2 metra larg të tjerëve. Kjo është një këshille e lehtë për t’u mbajtur mend, por ajo nuk mban parasysh të gjitha rreziqet e aerosolit, sidomos në ambientet e mbyllura.